Arbëri

“Ministri Tahiri bëri vepër penale”

Descriptive Text

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë vepër penale me pjesëmarrjen në takimin e mbyllur të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me përfaqësuesit e Prokurorive e Gjykatave, sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Në Express Intervistën në KTV, Miftaraj ka thënë se përfshirja e ministrit Tahiri në këtë takim ku është diskutuar plotësimi i kushtit të fundit për liberalizim, luftimi i korrupsionit, është vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës.

Image

“Në takime ku diskutohen hetimet ndaj politikanëve, pjesëmarrja e ministrit është vepër penale. Qasja e zyrtarit që s’është kompetent për ato informatë është vepër penale”, ka thënë Miftaraj.

Sipas Miftaraj, fillimisht ishte thënë se në këtë takim, të mbyllur për mediat, nuk është diskutuar për raste konkrete ndaj politikanëve, por më “pas ministri demantoi veten duke treguar se janë duke u hetuar politikanë”.

Miftaraj thotë se me Kushtetutën e Kosovës Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor janë të pavarur, por jo edhe në realitet. Sipas tij, ato janë thellësisht të politizuara.

Ai ka thënë se nëse institucionet duan të tregojnë se në të vërtetë po e luftojnë korrupsionin, duhet të tregojnë publikisht cilat fytyra publike janë duke u hetuar, sa prej tyre për korrupsion e sa për vepra të tjera.

Miftaraj ka thënë se për të përmbushur këtë kusht për liberalizim të vizave duhet të ketë edhe më shumë aktivizëm qytetar.