Arbëri

MASHTI: Mbi 7 mijë mësimdhënës ende të pavaksinuar

Nga 13 shtatori, në ditën kur edhe parashihet të fillojë procesi mësimor, të gjithë mësimdhënësit të cilët nuk janë vaksinuar do të duhet të paraqesin testin negativ për COVID-19. Nga Ministria e Arsimit thonë se mbi 26 mijë punonjës arsimorë janë vaksinuar, dhe se rreth 7 mijë janë ende të pavaksinuar. SBASHK-u ka bërë thirrje që të gjithë të vaksinohen, kanë thënë se pajtohen me çdo masë ndëshkuese për mësimdhënësit që hezitojnë të vaksinohen

Mbi 26 mijë punonjës të arsimit janë vaksinuar kundër COVID-19, deri në javën e kaluar, përshirë edhe staf tjetër administrativo-teknik. Sipas Ministrisë së Arsimit, deri të premten edhe 7 mijë e 300 punëtorë që punojnë në institucione të arsimit, janë ende të pavaksinuar. Me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës nga 13 shtatori, kur edhe parashihet të fillojë procesi mësimor, të gjithë punonjësit e institucioneve publike janë të detyruar të posedojnë dëshmi të vaksinimit, ose duhet të paraqesin test negativ kundër COVID-19.

Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Arsimit, kanë thënë se nga të dhënat që kanë nga komunat, pjesa më e madhe e punëtorëve të arsimit tashmë janë të vaksinuar ose janë në proces të vaksinimit, dhe se do të përfillen të gjitha vendimet e ekzekutivit për masat anti-COVID.

“Secila shkollë i ka të dhënat për mësimdhënësit e vaksinuar. Ata që nuk janë të vaksinuar natyrisht se duhet të paraqesin testin negativ ashtu siç e parasheh vendimi i Qeverisë. Me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, fillimi i vitit shkollor është shtyrë për datën 13 shtator. Ministria e Arsimit tashmë e ka finalizuar udhëzuesin, i cili parasheh skenarët e mundshëm varësisht nga situata me pandeminë për të cilin skenar do të vendosin komunat”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Me këto masa të marra nga Qeveria po pajtohen edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, të cilët kanë thënë se nuk do ta mbrojnë asnjë mësimdhënës që heziton të vaksinohet. Rrahman Jashari nga SBASHK-u u ka bërë thirrje që të gjithë të vaksinohen.

“Nëse ndonjë individ nga sektori i arsimit nuk do të vaksinohet, e që tani më nuk është dëshirë, por është obligim për ta mbrojtur sistemin arsimor, nëse shteti bën kushtëzime, të tillë që nuk janë vaksinuar nuk do t’i marrim në mbrojtje”, ka thënë Jashari.

Derisa Ministria e Arsimit e ajo e Shëndetësisë kanë thënë se kanë përgatitur një udhëzues me skenarët e mundshëm për fillimit e procesit mësimor, por që sipas Jasharit, shkollat ende nuk janë njoftuar se si do të zhvillohet procesi mësimor.

Rinor Qehaja, njohës i çështjeve të arsimit, thotë se institucionet shkollore duhet që sa më parë të njoftohen me mënyrën se si do të fillojë procesi mësimor.

“Ne kërkojmë që të rishikohet udhëzuesi i vitit të kaluar, në mënyrë që t’i lejohet autonomi shkollës dhe të promovohet rikthimi me prezencë fizike”, ka thënë ai.

Pas përkeqësimit të situatës me pandeminë, Qeveria e Kosovës ka vendosur që procesi mësimor të shtyhet deri më 13 shtator.