Tetë ditë para se të fillojë zyrtarisht fushata zgjedhore ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ende nuk ka marrë ndonjë rekomandim lidhur me mbajtjen e tyre.
Tubimet e tilla janë të ndaluara në bazë të masave në fuqi e të cilat do të shqyrtohen pas 13 shtatorit.
Por sipas ministrit Arben Vitia, situata në vend është e atillë që nuk lejon lehtësimin e masave aktuale.
“Për çështjen specifike që i bije për zgjedhje unë besoj mendoj që në momentin e parë kur kërkohet një rekomandim për zgjedhje ose për shkurtim të fushatës instituti në bazë të situatës do të jep këtë rekomandim. Për momentin siç e dini masat janë të tilla që ndalojnë grumbullimet të cilat mund të jenë me rrezikshmëri dhe këto do të jenë pavarësisht nëse vendoset për shkurtim apo nëse vendoset pavarësisht sa ditë këto do të jenë në fuqi”, tha Vitia.
Ndonëse ende nuk ka ndonjë vendim nga institucionet, subjektet politike insistojnë në mbajtjen e fushatës e në mosshtyrjen e zgjedhjeve.
Sipas zëdhënësit të PDK-së, Faton Abdullahu, me shtyrjen e zgjedhjeve do të dëmtohej demokracia.
“Ne si Parti Demokratike konsiderojmë se zgjedhjet nuk duhet të shtyhen, ato duhet të mbahen ashtu sikur është vendosur më herët pos tjerash për shkakun se nuk ka në asnjë variant argumente dhe vlerësime të drejta që të na japin konstatime se kjo Qeveri brenda një periudhe të caktuar ka me përmirësu gjendjen për të mirë”, tha Abdullahu.
Edhe sipas AAK-së mbajtja e zgjedhjeve në kohën e caktuar është e domosdoshme.
“Situatë thuajse të njëjtë me pandeminë kishim edhe në shkurtin e këtij viti, pra në zgjedhjet nacionale. Askush nuk ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve, përkundrazi, grumbulloheshin përkrahës e militantë me qindra, pa respektuar asnjë masë. Pse tani po u dashke me i shty ato? Askush nuk i ka faj pse matjet e nxjerrin jo mirë partinë në pushtet. Ka qenë dashtë të mendohej dhe kuptohej me kohë detyrën që kanë në institucione dhe të realizonin të paktën një 10% të premtimeve të dhëna me vite të tëra”, ka thënë Ardian Azemi, zyrtar për informim në këtë parti”, tha Ardian Azemi nga Zyra për Informim dhe Marrëdhenie me Publikun e AAK-së.
Fushata zgjedhore është planifikuar të fillojë më 16 shtator e të zgjasë një muaj, derisa partitë politike në opozitë kanë bërë thirrje që ajo të shkurtohet.