Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

70 për qind e vrasjeve të grave në Kosovë janë kryer nga familjarët

Shefi i misionit të OSBES-së në Kosovë, Michael Davenport, ka thënë se rreth 70 për qind e vrasjeve të grave në Kosovë janë kryer nga një anëtar i familjes dhe me armë zjarri.

Në tryezën me temën “Siguria dhe qasja në drejtësi për viktimat në familje”, që të mërkurën është organizuar nga ky mision, Davenport, ka thënë se posedimi i armëve, është një nga faktorët, që rastet e dhunës kundër grave po përfundojnë tragjikisht.

Ai ka theksuar se misioni i OSBE-s në Kosovë është i përkushtuar që të mbështes Kosovën në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.

“Unë zotohem se do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha palët për të përmirësuar bashkëpunimin dhe komunikimin mes tyre, për të siguruar një reagim profesional, që në qendër e ka viktimën”, ka theksuar Davenport.

Ai ka thënë se të gjithë janë tmerruar nga rastet e vrasjeve të grave që kanë ndodhur së fundi në Prishtinë. “Sipas shifrave të Policisë së Kosovës, gjatë dy javëve të fundit në Kosovë ka ndodhur vrasja e një gruaje, dy dhunime ndaj të miturve, tri dhunime ndaj grave dhe një sulm i dhunshëm me bazë gjinore kundër një burri në Prizren. Të gjitha këto duhet të shërbejnë si një thirrje zgjimi për të gjithë ne, për të dyfishuar përpjekjet tona për të luftuar këtë fenomen dhe për të çrrënjosur dhunën në familje një herë e përgjithmonë", ka thënë Davenport.

Edhe Mbi 2 mijë e 800 viktima të dhunës në familje gjatë 2025-s, 75% gra LAJMET E MBRËMJES Mbi 2 mijë e 800 viktima të dhunës në familje gjatë 2025-s, 75% gra

Rastet e fundit të vrasjeve të grave, sipas tij, tregojnë nevojën për ngritjen e vetëdijesimit dhe nevojën thelbësore për të kundërshtuar qëndrimet diskriminuese.

Në këtë tryezë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, ka theksuar se dhuna në familje po shënon rritje. Sipas tij ministria ka ngritur kapacitetet për trajtimin e këtyre rasteve.

"Dhuna në familje për fat të keq po pëson rritje, me ç ‘rast vetëm për periudhën janar-tetor 2022 kemi 2333 viktima, 1901 prej të cilëve janë gra e vajza. Ky është një realitet i hidhur që po ndodhë në vendin tonë, por është edhe kambanë alarmi se angazhimi ndërinstitucional duhet të intensifikohet, masat dhe veprimet e deritanishme nuk po mjaftojnë dhe duhet të avancojnë në mënyrë që të gjithë ne të jemi më efikas në parandalim dhe në reagim në rastet e cenimit të jetës së vajzave dhe grave tona. Në rastin e Hamide Magashit vërtetohet që ka pasur mungesë të koordinimit dhe neglizhencë në rastet me të cilat e ndjera është ballafaquar”, ka thënë Gashani.

Edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka theksuar se trajtimi më i mirë për gratë është parandalimi i rasteve të dhunës.

Edhe Opinion Nga parimet në vepra: Përmbushja e premtimit të Kosovës ndaj grave dhe vajzave

"Forma kryesore mbi të cilën është e nevojshme që të koncentrohemi është parandalimi i rasteve të dhunës dhe për këtë jemi të bindur që do të kenë efekt ndryshimet e fundit që kemi ndërmarrë me Kodin Penal dhe me atë Procedurës Penale, në rastet kur një person shpallet fajtor për veprën penale të dhunës në familje apo të dhunës seksuale. Këto ndryshime për personat fajtor përfshin këto masa: u ndalohet punësimi në institucione publike, kandidimi në pozita në nivel qendror dhe lokal, nuk do të zbatohen rrethanat lehtësuese për dhunuesit, trajtimi i lëndës nuk zgjat më shumë se një vit dhe emrat e dhunuesve publikohen në faqen zyrtare të KGjK-së", ka deklaruar Sallahu.

Tryeza është organizuar në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore. / ksp