Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për subvencionimin me 70 euro për regjistrim të fëmijëve në çerdhe private.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka treguar se kush do të mund të përfshihet në këtë thirrje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kjo është një metodë e re dhe alternative që të rrisim përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve të Prishtinës në edukim të hershëm, që asnjë fëmijë të mos mbetet mbrapa.
Pra, secila familje e Prishtinës, që ka fëmijë të moshës nga 9 muaj deri në 6 vjeç dhe ka të hyrat familjare nën 500 euro, do të përfitojë 70 Euro për të regjistruar fëmijën e tyre në cilëndo çerdhe private të licencuar të Prishtinës”, ka thënë Musmurati në një konferencë për media.
Sipas Musmuratit, me subvencionimin me nga 70 euro në muaj për familjet e Prishtinës, do të rritet përfshirja e fëmijëve në çerdhe dhe edukim të hershëm dhe pjesëmarrja e grave në tregun e punës, si dhe do të lehtësohet barra financiare për shumë familje në Prishtinë.
“Ne kemi ndarë 100,000 Euro për financim të fazës së parë, por varësisht nga numri i aplikimeve do të rrisim edhe buxhetin. Prandaj i bëj thirrje të gjithë prindërve të Prishtinës që të hyrat familjare i kanë nën 500 Euro të aplikojnë në thirrjen e hapur për subvencionim, e cila tanimë është në uebfaqe të Komunës së Prishtinës dhe në rrjetet tona sociale”, ka thënë Musmurati.
Të gjithë qytetarët mund ta bëjnë aplikimin edhe në sportelin numër 5 në objektin e Komunës së Prishtinës.
Kategoritë të cilat do të kenë përparësi janë nënat vetëushqyese, fëmijët bonjakë, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët e prindërve të divorcuar, fëmijët e invalidëve të luftës së UÇK-së si dhe fëmijët e veteranëve të luftës së UÇK-së.
