Ministria e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për përhapjen e sindromës Meningjiale, që i prek kryesisht fëmijët dhe që shkakton dhimbje koke, temperaturë të lartë, marramendje e të vjella. Në Klinikën Infektive njoftuan se që nga korriku me këtë sëmundje janë prekur 63 persona e 8 prej tyre janë spitalizuar. E infektologu Hamdi Ramadani paralajmëroi për simptomat, për të cilat duhet treguar kujdes të veçantë
63 persona janë prekur nga sindroma Meningjiale që nga korriku e deri më tani, teksa 8 prej tyre janë spitalizuar, kanë bërë të ditur në Klinikën Infektive.
E para korrikut, bazuar në të dhënat që i siguroi KOHA nga kjo klinikë, janë evidentuar edhe 38 raste të pacientëve me meningjit.
“Nga muaji korrik deri më sot kemi pasur rritje të ndjeshme të kërkesës për spitalizim me Meningjit Viral të moshave pediatrike, gjithsej 43 pacientë... Kemi pasur edhe 20 pacientë të tjerë të moshave adulte të cilët janë trajtuar me formën e Meningjitit Bakterial”, ka thënë Klinika Infektive.
Të mërkurën Ministria e Shëndetësisë e ngriti alarmin se në periudhën midis korrikut dhe gushtit është shënuar rritje e numrit të rasteve me meningjit, krahasuar me periudhën e njëjtë, një vit më parë. Në njoftimin e publikuar një ditë më parë edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, qytetarët paralajmërohen që të kenë vigjilencë të shtuar për sa i përket kontrollit të ujit të pijshëm dhe klorizimit të atij në pishina.
Infektologu Hamdi Ramadani thotë se gjatë verës krijohen kushtet që sëmundja të përhapet. Ai thekson se ajo kryesisht i prek fëmijët e vegjël, teksa numëron simptomat për të cilat duhet treguar kujdes i veçantë.
“Dominon përveç dhimbjes së kokës, ato që ne i quajmë shenjat meningjiale, të sindromës meningjial, pra, pengesa në dritë, të vjella, pastaj fillon edhe qafa të shtrëngohet dhe fillojnë dhimbjet e muskujve, humbje e oreksit e kështu me radhë”, ka thënë Ramadani.
Ramadani specifikon që megjithëse meningjiti është sëmundje e njohur për mjekësinë dhe se për trajtimin e saj ekzistojnë protokolle shkencore, ka raste kur mund të rezultojë me pasoja serioze për pacientët.
“Fëmijët e vegjël, sidomos të moshës 1 deri në 2 vjeç, lehtë mund të dehidrohen dhe lehtë mund të shfaqet sëmundja edhe më agresive. Ka raste kur meningjiti e prek edhe trurin, pra, një formë e paraqitjes së meningoencefali që prek jo cipat e trurit, por vetë indin trunor dhe në këto situata janë shumë alarmante, shumë shpejt i sëmuri duhet të dërgohet në spitalin më të afërt”, ka shtuar ai.
Meningjiti është sëmundje që shkaktohet nga bakteri i veçante, meningok, i cili prek shtresat mbrojtëse që e mbështjellin trurin. E si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji i pijshëm.