Arbëri

580 nxënës i nënshtrohen vlerësimit në ditën e parë të testit të PISA-s

pisa, nxenes, test, kosova

Të parët që të enjten hynë në kabinetin për testim ishin 57 nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda”, të cilët iu përgjigjën pyetjeve të shtruara nën monitorimin e administratorëve. Pas testimit, disa prej tyre i kanë vlerësuar si jo të vështira pyetjet e shtruara. Procesi i testimit ndërkombëtar PISA do të vazhdojë deri më 20 maj

Rreth 580 nxënës nga e gjithë Kosova të enjten janë bërë të parët pesëmbëdhjetëvjeçarë të cilët iu nënshtruan testit ndërkombëtar të PISA-s, në procesin që do të zhvillohet deri më 20 maj.

Ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, për t’u siguruar mbi mbarëvajtjen e procesit ka vizituar shkollën e mesme ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, në të cilën është vendosur njëra prej katër qendrave të testimit në nivel vendi, të formuara si pasojë e mungesës së kompjuterëve në disa institucione të arsimit fillor dhe të mesëm.

Të parët që të enjten hynë në kabinetin për testim ishin 57 nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda”, të cilët iu përgjigjën pyetjeve të shtruara, nën monitorimin e administratorëve.

Administratorët e përcaktuar për procesin e monitorimit janë përzgjedhur dhe janë trajnuar nga MASHTI dhe gjatë testimit askujt nuk i lejohej që të hyjë apo të dalë nga kabineti. Pas përfundimit të testimit, nxënësit janë shprehur optimistë për rezultatin që do ta mbërrijnë në test.

Pyetjet e shtruara gjatë testit, Lekë Kavaja, nxënës nga gjimnazi “Xhevdet Doda”, i ka vlerësuar si jo të vështira.

“Më shumë ka pasur lëndë shkencore, në lidhje me gjeografinë, matematikën, fizikën, biologjinë, kiminë. Pyetjet ishin më shumë logjike, porse jo edhe aq shumë çfarë ne mësojmë nëpër shkollë”, ka thënë ai.

Testimi të enjten është mbajtur edhe në Komunën e Prizrenit, në katër qendra të krijuara për procesin.

Në “Qendrën e Kompetencës” është evidentuar mungesa e katër nxënësve që duhej të merrnin pjesë në testim.

Luljeta Veselaj-Gutaj, drejtoreshë për Arsim në Prizren, ka arsyetuar mungesën e nxënësve me problemet shëndetësore. Bazuar në rregullat e parapara nga PISA, në raste kur pjesëmarrja e nxënësve në një shkollë është më e ulët se 90 për qind, atëherë testimi përsëritet për ata që kanë munguar.
Për ata që kanë marrë pjesë, Veselaj-Gutaj ka thënë se janë dhënë instruksione të qarta.

“Në vazhdimësi kemi pasur takime me koordinatorë, të cilët janë marrë me procesin e PISA-s dhe kemi bërë thirrje te koordinatorët që t’u adresojnë thirrje nxënësve për t’i plotësuar të gjitha pyetjet, për arsye që në rast se një pyetje nuk plotësohet, atëherë ajo shkon në minus të përgjigjes”, ka thënë ajo.

Në test nxënësve u shtrohen pyetje të hapura dhe të mbyllura. Vlerësimi i përgjigjeve të mbyllura bëhet në mënyrë automatike nga sistemi i PISA-s, ndërsa për përgjigjet e hapura kujdesen disa mësimdhënës të fushave të shkencës dhe të gjuhës, të cilët janë përcaktuar nga Ministria e Arsimit.

“Janë mësimdhënës të shkollave të mesme dhe të fakulteteve”, ka thënë Fatmir Elezi, udhëheqës i divizionit për vlerësim në MASHTI.

Elezi ka sqaruar se mësimdhënësit e caktuar për vlerësim janë të njëjtët të cilët kanë marrë pjesë në test-pilotimin e PISA-s.

“Rregullohen të dhënat dhe fillon kodimi i pyetjeve të hapura. Kemi bashkëpunëtorë të jashtëm të cilët e kanë bërë kodimin edhe të pilotimit. Do të bëjmë kodimin në bazë të standardeve të PISA-s”, ka thënë ai.

Testi ndërkombëtar i PISA-s zhvillohet çdo tre vjet dhe i mat arritshmëritë vetëm të pesëmbëdhjetëvjeçarëve në tri kategori të njohurive: të shkencës, të matematikës dhe të të kuptuarit gjatë leximit. Gjatë testimit vlerësohet performanca e nxënësve mbi detyrat nga jeta reale, të cilat konsiderohen të rëndësishme për pjesëmarrje efektive në shoqërinë e të rriturve dhe për mësimin gjatë gjithë jetës.

Testimit të sivjetmë do t’i nënshtrohen rreth 7 mijë nxënës të lindur në vitin 2006 dhe nga 237 shkolla të Kosovës. Përzgjedhja e tyre është bërë në mënyrë rastësore nga sistemi elektronik i PISA-s, ndërkaq rezultatet e vlerësimit do të publikohen në dhjetorin e 2023-s.

Në rezultatet e testit të parë të PISA-s, të mbajtur në vitin 2015, nxënësit nga Kosova janë radhitur në vendin e 68-të nga mesi i 72 vendeve pjesëmarrëse. Në të dytin, i cili është mbajtur më 2018, 15-vjeçarët kosovarë kanë zënë vendin e 77-të mes 79 shteteve të botës. Testi i sivjetmë ka qenë i paraparë që të mbahej gjatë vitit 2021, porse është shtyrë për shkak të pandemisë së COVID-19.