Arbëri

53 mësimdhënës të Fushë-Kosovës nuk kanë marrë rroga që nga shtatori

Kjo komunë është aktualisht e dyta në nivel vendi për nga numri i mësimdhënësve të mbetur jashtë listës së pagave. E lista pritet të zgjerohet, pasi që shtimi i vazhdueshëm i numrit të nxënësve në këtë komunë e bën të domosdoshëm edhe rritjen e numrit të mësimdhënësve

Pa paga, që nga shtatori i vitit të kaluar kanë ngelur 53 mësimdhënës në Komunën e Fushë-Kosovës.

Ani se janë pranuar në mënyrë të rregullt, nëpërmjet konkurseve, zyrtarët komunalë nuk kanë mundur që t’i përfshijnë ata në listën e pagave.

E vetëm në shkollën “Mihal Grameno” janë mbi 30 mësimdhënës që aktualisht janë jashtë listës së pagave.

Njëra prej tyre është edhe mësuesja Igballe Kosova. Ajo tregon se nuk e ka marrë asnjë cent qysh se e ka nisur punën në këtë shkollë, në fund të shtatorit.

“Sipas konkursit që është hapur në shtator, ne kemi aplikuar për një vend të lirë të punës dhe jemi pranuar në mënyrë të rregullt, me kontratë. Mirëpo, buxheti ka qenë pak i kufizuar. Neve disa mësimdhënës në shkollën tonë edhe në shkollat e tjera, nuk ka arritur DKA-ja me na fut në listën e pagave”, ka thënë Kosova.

Ajo thotë se ishte njoftuar qysh në fillim se do të mbetej jashtë listës për pagë.

Aktualisht, në nivel vend, prin Komuna e Mitrovicës për nga numri i mësimdhënësve jashtë listës së pagave, me rreth 80 syresh. Pas saj është Fushë-Kosova.

Drejtori për Arsim në këtë komunë, Samir Shahini, thotë se shumë shpejt pritet që Fushë-Kosova të renditet e para, pasi që, sipas tij, numri i nxënësve rritet vazhdimisht, duke e rritur edhe domosdoshmërinë për shtimin e numrit të mësimdhënësve.

“Arsyeja është që Ministria e Financave nuk lëshon norma të reja, përkundër insistimit të Komunës sonë në vazhdimësi dhe informimit të rregullt në Fushë-Kosovë, rritjes së numrit të nxënësve, që duhet të jetë matësi i parë, i fundit dhe i vetmi për të bërë këtë ndërhyrje Ministria e Financave. Në ndërkohë, Ministria e Arsimit gradualisht e ka kuptuar situatën, tanimë është duke e përkrahur Komunën e Fushë-Kosovës në realizimin e kësaj të drejte, ose si ta quaj, zgjidhjen e kësaj krize momentale nëpër të cilën po kalon Komuna jonë dhe e ka drejtuar bashkërisht me ne edhe në Ministri të Financave një shkresë”, ka thënë Shahini.

KOHA ka drejtuar pyetje në adresë të Ministrisë së Arsimit dhe asaj për Financa qysh më 21 janar, porse përgjigjet kanë munguar.

Ndërkohë, drejtori Shahini tregon se rëndom mësimdhënësit jashtë listës së pagave paguhen nga mjetet e të hyrave vetjake, me vendime të veçanta që i lëshon kryetari i komunës.

Megjithëkëtë, 53 mësimdhënësit e kësaj komune nuk mund të marrin paga pa u hapur buxheti i komunës. Sipas drejtorit për Arsim, edhe në të kaluarën mësimdhënësit jashtë listës së pagave i kanë marrë nga 5-6 paga përnjëherë.