Arbëri

Kandiq: Serbia s’pranon krimet dhe refuzon t’i kontribuojë paqes në Ballkan

“Mbi 10 mijë civilë u vranë gjatë luftës në Kosovë, por vetëm 64 persona u gjykuan në tri gjykata në Hagë, Kosovë e Serbi dhe kjo është dëshmi se sa pak drejtësi kanë parë familjet e viktimave”

Kështu është thënë në një konferencë për media të Fondit për të Drejtën Humanitare.

Themeluesja e Fondit, Natasha Kandiq, ka folur për një qasje luftënxitëse nga ana e Serbisë, e cila përveç faktit që nuk po i pranon krimet, vazhdimisht refuzon t’i kontribuojë paqes në Ballkan.

Sipas saj, këtë e dëshmon edhe shpallja në kërkim e Ramush Haradinajt dhe gjeneralit boshnjak Jovan Divjak dhe argumentet politike që ka dorëzuar Serbia.

Ajo ka kërkuar që të ndalohet qasja hegjemoniste e Serbisë dhe vetëm gjykimi i ushtarëve të UÇK-së.

“Nuk bën të lejojmë të gjykohen vetëm pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e në Serbi të mos ketë gjykime ose që ato gjykime të shtyhen, sepse kështu nuk arrihet drejtësia për më shumë se 7 mijë civilë të vrarë brenda vetëm 74 ditësh sa zgjatën bombardimet e NATO-së. Serbia po vazhdon të mbajë qëndrime hegjemoniste dhe të lëshojë urdhër arreste për ish-pjesëtarët e UÇK-së, pra Serbia pretendon të jetë ajo e cila vendos standardin e drejtësisë”, ka thënë Kandiq.

Edhe përkuljen e Hashim Thaçit para memorialëve serbe, Kandiq nuk e sheh si të sinqertë por vetëm për efekt medial.

Udhëheqësi i fondit për Kosovë, Bekim Blakaj, ka theksuar se pavarësisht iniciativës së presidentit për të krijuar Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, rezultatet do të mungojnë.

Një Konferencë të tillë, KOMRA e ka mbajtur edhe në Beograd ku Kandiq ka thënë se Serbia është shndërruar në një vend të errët, e cila madje kurrë nuk ka qenë kaq e errët, as në vitet e nëntëdhjeta, kur megjithatë ka pasur hapësirë për mendime të ndryshme.

Tutje, Kandiq tha se në Serbi edhe institucionet evropiane konsiderohen të spiunazhit.

Javën e ardhshme një tjetër konferencë KOMRA do ta mbajë edhe në Sarajevë.


Kandiq: Serbia s’pranon krimet dhe refuzon t’i... by kohanet