Bind Skeja, Drejtor ekzekutiv në Qendrën për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), ka deklaruar se ndonëse nuk ka të dhëna të regjistruara saktë, numri i vetëvrasjeve në Kosovë është rritur pas pandemisë, krahasuar me periudhën para dhe gjatë pandemisë.
Ai ka thënë të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së se në qendrën telefonike për parandalim të vetëvrasjes “Linja e Jetës”, pas periudhës së pandemisë janë shtuar thirrjet e personave, derisa shtoi se institucionet e shtetit s’kanë bërë mjaftueshëm në evidentimin e rasteve.
“Prej që ekzistojmë si QIPS, brezi ynë është aktivizuar për të bërë diçka në parandalimin e vetëvrasjeve. Nuk është çështje alarmi, por puna që kemi bërë pas pandemisë është që kemi krijuar një vetëdijesim te popullata që të gjejmë mbështetje për peticionin për ndalimin e vetëvrasjeve”, ka thënë ai.
Skeja ka shtuar se sipas statistikave, në 2023-n janë regjistruar 40 vetëvrasje por sipas tij këto nuk janë shumë të besueshme.
“Ne nuk dimë si regjistrohen vetëvrasjet, të dhënat ruhen me dorë e s’ka digjitalizim. Nuk kemi dëshmi për vetëvrasjet pasi s’ka pasur bashkëpunim mes nesh dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme e Policisë...Kur s’ka të dhëna s’ka mundësi t’i identifikosh shkaktarët e vetëvrasjeve”, është shprehur drejtori i QIPS-it.
Ai ka potencuar se autoritetet qendrore duhet të bëjnë më tepër në përfshirjen e personave me probleme apo kriza mendore në komunitet. Kriza ekonomike, sipas Skejës, është shtysë për vetëvrasje.
“Në kohë të pandemisë numri i vetëvrasjeve ka rënë. Kur ka përfunduar periudha e pandemisë është rritur numri i vetëvrasjeve. Numri i thirrjeve në ‘Linja e Jetës’ pas pandemisë është më i madh se para dhe gjatë pandemisë”, ka deklaruar Skeja.