Arbëri

Policia fton në intervistim pesë serbë rreth mbylljes së komunave paralele në veri

Pesë serbë, të dyshuar për falsifikim të dokumenteve në komunat paralele serbe, të cilat janë mbyllur javën e shkuar në veri, janë ftuar për intervistim nga policia. Njëri prej tyre, Milan Radojeviq, ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, është ankuar të mos e ketë pranuar ftesën fizike dhe se pjesëtarë të Policisë ia kanë shqetësuar familjen me qëllimin për ta gjetur. E zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se nuk posedon hollësi mbi marrjen e tyre në pyetje

Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, njëherësh zëvendësministër i Brendshëm në Kosovë, Milan Radojeviq, është paraqitur në polici të mërkurën, një ditë pasi që i është bërë ftesë për intervistim ndërlidhur me komunat paralele serbe që javën e shkuar janë mbyllur në veri.

Policia e Kosovës i ka ftuar për intervistim pesë serbë, nën dyshimin se ata kanë lëshuar dokumente të falsifikuara në komunat e mbyllura paralele.

Tek ka folur lidhur me çështjen, Radojeviqi është ankuar se nuk e ka pranuar fizikisht ftesën për t’u intervistuar nga policia.

“Shtatë policë kanë shkuar dhe kanë shqetësuar fqinjët e mi. Kanë kërkuar që të më gjejnë siç dinë. Kanë ardhur te familja ime dhe kanë thënë se nuk do të largohen derisa të më kontaktojnë. Në atë moment isha në udhëtim në Serbinë qendrore. Nuk fshihem. Kam ardhur këtu. Nëse problemi qenka që punoj për institucionet e Serbisë, e them se jam shumë krenar për këtë. Kam kërkuar ta marr ftesën e të shoh për çfarë më ftuan. Më duket si mungesë profesionalizimi, më e pakta të them”, ka thënë ai.

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut, ka thënë se nuk posedon informata të hollësishme lidhur me marrjen e tyre në pyetje.

“Ftesat janë dërguar dje, intervistimi fillon kur hetuesit, bashkë me prokurorinë, e caktojnë kohën kur do të bëhet intervistimi. Nuk kam informacione lidhur me intervistimin e tyre, por që e di se ftesat janë dërguar dje”, ka theksuar Elshani.

Ftesat për intervistimin e pesë serbëve të Kosovës e kanë nxitur të mërkurën reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Jam shumë i trishtuar dhe i pakënaqur ngase shoh që dikush nuk dëshiron paqe dhe nuk dua t’ia jap shansin që të marrë pjesë në persekutimin dhe pogromin e popullatës sonë. Ata përpiqen të mbyllin gjithçka tjetër. Nuk kam dyshim se do të provojë gjithçka, por jam i sigurt se nuk do t'ia dalë”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës i ka mbyllur javën e shkuar pesë komuna paralele në veri, nën dyshimin se aty janë lëshuar dokumente të falsifikuara. Dryni u është vënë Zyrës së Qarkut për Mitrovicë, si dhe komunave paralele në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, të cilat kanë funksionuar në kuadër të sistemit të Serbisë. 

Aksioni i 30 gushtit ka nxitur reagimin e menjëhershëm të faktorit ndërkombëtar. Nëpërmjet një reagimi publik Ambasada amerikane në Kosovë e ka kualifikuar aksionin në veri si “vazhdimësi të aksioneve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës e që vazhdojnë të kenë ndikim direkt dhe negativ në komunitetin serb dhe komunitetet e tjera minoritare në Kosovë”.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtar dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton në përkeqësimin real dhe në rritje të partneritetit tonë”, është thënë në reagim. “Veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtarisht”.

Në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së është thënë po ashtu se Qeveria po e instrumentalizon Policinë dhe se nuk po i qëndron premtimit për “konsulta dhe koordinim të vazhdueshëm me komunitetin ndërkombëtar”. 

Krahas SHBA-së reagim ka pasur edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

“Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkohet reagimit të Ambasadës Amerikane në shprehjen e shqetësimit dhe zhgënjimit mbi veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë. Duam të heqim masat dhe të lëvizim përpara në integrimin rajonal dhe evropian të Kosovës. Jo më gjendje krize të panevojshme”, ka shkruar Rohde në Twitter. Ngjashëm ka reaguar edhe ambasadori francez, Olivier Guerot. Ai ka thënë se “veprimet që kanë ndikim të dëmshëm në komunitete, në këtë rast të komunitetit serb, nuk janë të mirëpritura”. “Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme”, pati shkruar ai në Twitter.

E vetëm një ditë pas aksionit të së premtes mbrëma, misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR – ka rritur praninë e forcave dhe të automjeteve në urën qendrore mbi Ibër në Mitrovicë. Prani të shtuar të forcave dhe të automjeteve të KFOR-it ka pasur edhe të mërkurën. Në këtë mision kanë bërë të ditur se i gjithë shtimi i forcave është pjesë e një trajnimi periodik të KFOR-it.