Arbëri

Franca i bën thirrje Kosovës të përmbahet “nga veprimet e njëanshme”

Albin Kurti & Emmanuel Macron

Ministria e Jashtme e Francës i ka bërë thirrje Kosovës që të përmbahet nga veprimet e njëanshme që mund të përkeqësojnë tensionet në veri, pas planeve për ta hapur urën mbi lumin Ibër.

Qeveria e Kosovës gjatë kësaj jave ka bërë disa veprime me synimin e hapjes së Urës së Ibrit. Të enjten, u kryen testime për qëndrueshmërinë e urës, duke vendosur mbi të kamionë të ngarkuar rëndë.

Por komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Francën, janë shprehur kundër që ura të hapet për qarkullimin e veturave pa u marrë vesh në dialog. E misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, paralajmëroi se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. 

Në komunikatë të premten, Ministria franceze ka thënë se veprimet e Kosovës rrezikojnë përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Franca dënon fuqishëm rritjen e veprimeve të njëanshme të autoriteteve të Kosovës në veri të vendit që ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb. Këto veprime rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat janë parakushte për anëtarësimin e ardhshëm të dy vendeve në BE. Franca u bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm në të ardhmen që do të përkeqësonte më tej tensionet. Inkurajojmë të dy palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve nën kujdesin e Bashkimit Evropian në mënyrë që të bëjnë përparim drejt zbatimit të marrëveshjes së Ohrit”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ura e Ibrit, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve – por nuk u zbatua.

Mbi urë qëndrojnë ushtarët e KFOR-it.