Arbëri

Gashi: Nëse Ura e Ibrit hapet pa koordinim, pasojat do të jenë të paparashikueshme

Bejtush Gashi

Bejtush Gashi

Njohësi i sigurisë, Bejtush Gashi, ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës vendos ta hapë Urën e Ibrit pa koordinim me ndërkombëtarët, pasojat do të jenë të paparashikueshme.

Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së të martën, Gashi ka konsideruar se Qeveria e Kosovës vendimin për hapjen e urës duhet ta konsultojë “domosdoshmërisht” me ndërkombëtarët.

“Nëse vendimi i tillë nuk koordinohet me ndërkombëtarët, çështje e urës do të jetë komplekse dhe problematike. Neni 137 i Kushtetutës thotë se misioni i NATO-s ka përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme të Kosovës dhe nëse ajo rrezikohet, në të gjitha planifikimet që kemi si Kosovë, është reaguesi i tretë. Ajo ka përgjegjësi për të ulë tensionet dhe institucionet e Kosovës nuk kanë kapacitete të përballen me një situatë hipotetikisht që krijohet si rezultat i tensioneve brendshme apo ndërhyrjes nga ndërkombëtarët. Qeveria e Kosovës duhet domosdoshmërisht që një vendim të tillë ta konsultojë me ndërkombëtarët dhe të krijohen parakushte që ura të hapet. Nëse një vendim i tillë merret pa koordinim, mund të përshkallëzojë tensionet me ndërkombëtarët dhe pasojat janë të paparashikueshme”, ka thënë ai.

VIDEO:

Sipas Gashit, nëse nuk ka raporte të mira me ndërkombëtarët atëherë do të ketë ndikim edhe në fusha të tjera të rëndësishme. Ka përmendur sanksionet si shembull.

“Nuk është mirë që çështjet e karakterit teknik të na dalin në çështje primare. Vendime të tilla mund të ndikojnë në prishjen e raporteve me ndërkombëtarët. Nëse nuk ekzistojnë raportet e mira ndërkombëtare, ato mund të ndikojnë në fushën e sigurisë, ekonomisë e në rrafshin diplomatik. Për pasoja, kemi ngërç të bashkëpunimit ndërkombëtar në rrafshin politik e diplomatik. Dhe Kosova për pasoja ka sanksione ekonomike nga BE-ja”, u shpreh profesori Gashi.

Gashi e sheh më shumë si fushatë paraelektorale atë që po ndodh me Urën e Ibrit.

“Është më tepër fushatë paraelektorale sesa realitet që do të krijonte rrethanë lehtësuese që një vendim i tillë të jetë normal dhe kjo të jetë çështje e brendshme dhe përgjegjësi e institucioneve Kosovës dhe jo çështjes e ndërhyrjes ndërkombëtare që ura të lirohet”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës këmbëngul se ura mbi lumin Ibër duhet të hapet dhe se nuk ekzistojnë argumente që ajo të mbetet e mbyllur për qarkullim të veturave. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, u shpreh i bindur se ura do të hapet, por “kur është çështje e ekspertëve”. Me planin e Qeverisë së Kosovës nuk janë dakord ndërkombëtarët. Bashkimi Evropian dhe QUINT-i kanë insistuar se për këtë çështje duhet të diskutohet në dialogun në Bruksel, gjë që është refuzuar si ide nga autoritetet e Kosovës.

Në veri është paralajmëruar protestë për ditën e nesërme pranë Urës së Ibrit për siç kanë thënë “gjendjen e keqe të serbëve”. Mediat në Serbi e kanë përshkruar protestën si “paqësore dhe demokratike kundër hapjes së Urës së Ibrit”.