Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar të enjten me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Gërvalla ka njoftuar se në këtë takim ka theksuar nevojën për bashkëpunim edhe më intensiv midis Kosovës dhe SHBA-së në nisma rajonale dhe globale.
Kryediplomatja ka shtuar se takimet e tilla tregojnë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta strategjike dhe diplomatike.
“Në takimin e rregullt me Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, diskutuam për aktualitetin politik në Kosovë dhe pritjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës për mbështetje të fortë të miqve, partnerëve dhe aleatëve në reformat e rëndësishme drejt forcimit të shtetit ligjor dhe standardeve të demokracisë, luftimit të krimit dhe korrupsionit dhe reformave të thella në fusha të rëndësishme si arsimi, shëndetësia dhe administrata publike. Theksova nevojën për një bashkëpunim edhe më intensiv në nisma rajonale dhe globale”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.