Arbëri

Dy ligje dhe Statuti i UP-së kontestohen në Kushtetuese

Tri akte legjislative, të miratuara para një jave në Kuvend, për të hyrë në fuqi duhet ta kalojnë testin e kushtetutshmërisë. Partia më e madhe opozitare të enjten ka sfiduar në Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial, atë për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Draftstatutin e Universitetit të Prishtinës

Partia Demokratike (PDK) i është drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese të enjten. Në këtë institucion i ka çuar për vlerësim të kushtetutshmërisë Ligjin për Këshillin Prokurorial, atë për Komisionin e Pavarur të Mediave, si dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës.

Në emër të PDK-së, kryetari i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, tha se po i nis tri beteja të reja me pushtetin. 

“Në radhë të parë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, përmes të cilit synohet që të kontrollohet puna e mediave të lira në Republikën e Kosovës dhe të cenohet fjala e lirë në Kosovë”, ka thënë ai.

E me Ligjin për KPK-në, ai tha se pushteti po mundohet ta kapë Prokurorinë. 

“Ne nuk presim vendim tjetër përpos që të jetë një vendim i njëjtë i Gjykatës Kushtetuese, sepse ne konsiderojmë që përmes këtij projektligji pushtetit aktual po synon të kapë sistemin prokurorial, rrjedhimisht organin e akuzës, që ka për detyrë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe dukurive të tjera negative në vendin tonë”, ka thënë Tahiri.

Në mars të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial, e me disa ndryshime Kuvendi para një jave e miratoi sërish.

E për Statutin e UP-së, Tahiri tha se përmes tij synohet cenimi i marrëdhënies së punës së stafit akademik, duke i vendosur ata përballë presioneve e kërcënimeve të pabaza për humbjen e titujve akademikë, e për rrjedhojë edhe të marrëdhënies së punës.

Në një prononcim për KOHËN, edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetueses, Enver Hasani, i cili ka qenë edhe rektor i këtij universiteti, ka thënë se Statuti është antikushtetues. Sipas tij, dokumenti ka defekte serioze kushtetuese, si në procedurë, ashtu edhe në përmbajtje. 

Shkeljet kryesore janë në përmbajtje të Statutit, ka thënë Hasani. 

“Kjo kategori statutare ka për qëllim kapjen e profesoratit dhe shantazhimin e tyre me lojalitet politik, nëse duan të mbesin në punë”, ka thënë ai.  

Sipas Hasanit, ata që mohojnë juridiksionin thirren në një vendim të Gjykatës Kushtetuese të dhënë në procedurën e kontrollit incidental. Ai ka thënë se ky vendim nuk përbën precedent, sepse ka pasur të bëjë me një kontest kushtetues individual, kurse në rastin e Statutit bëhet fjalë për kontroll abstrakt të kushtetutshmërisë së përmbajtjes së vendimit të Kuvendit të Kosovës që ngërthen Statutin e UP-së, që është miratuar të enjten e javës së shkuar.