Arbëri

Vdiq Fisnik Vejsa, producenti që la gjurmë në skenën televizive vendore

Fisnik Vejsa

Fisnik Vejsa (28 qershor 1972 – 21 qershor 2024)

Me “Fauna jonë” në KTV do ta niste karrierën në botën e televizionit dhe do të shquhej për pasionin e tij. E vazhdoi edhe me produksione të tjera që kanë lënë gjurmë në televizione vendore. Miqtë e kolegët e kanë kujtuar producentin e autorin Fisnik Vejsa – i cili vdiq në moshën 52-vjeçare – si punëtor të zellshëm, profesionist e bashkëpunëtor të mirë

Skena vendore mediatike ka humbur njërin prej autorëve e producentëve të shquar, i cili me produksionet e tij ka lënë gjurmë. Në moshën 52-vjeçare ka vdekur Fisnik Vejsa. Lajmin për vdekjen e tij e kanë dhënë familjarët, të premten, një ditë pas vdekjes. 

Vejsa do të bëhej i njohur në industrinë televizive qysh në vitet 2000, kur në Kohavision nisi emisionin “Fauna jonë”, i pari i këtij lloji në televizionet vendore. Do të shquhej për qasje profesionale për natyrën e këtij emisioni, meqë Vejsa ishte veterinar me profesion. Aty shpaloste pasionin e tij. Pas më shumë se një dekade karrierën do ta vazhdonte në kanale të tjera televizive edhe si producent i serialit televiziv “O sa mirë”. 

Lamtumira e fundit do t’i jepet të shtunën, në orën 13:00, në varrezat e Prishtinës. 

Tronditës ka qenë lajmi për ikjen e tij, për kolegë e bashkëpunëtorë të Vejsës. 

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me dhimbje të madhe ka pranuar lajmin për vdekjen e gazetarit Fisnik Vejsa. Vejsa për shumë vjet ishte pjesë e televizionit ‘Tribuna’, autor i emisionit ‘Fauna jonë’ në KTV, si dhe producent i disa prodhimeve mediatike të njohura në vend. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të gazetarit Vejsa”, ka shtuar AGK-ja në telegram ngushëllimi. 

Oda e Veterinarëve të Kosovës, tek ka dhënë lajmin për vdekjen e tij si pasojë e një sulmi në zemër, e ka kujtuar për punën shumëvjeçare në Kohavision e më pas edhe në “Tribuna”. “OVK-ja do ta kujtojë me pietet dhe njëherësh i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes”, ka shkruar në telegram ngushëllimi. 

Në KTV, aty ku do ta niste karrierën televizive, Fisnik Vejsa është kujtuar si profesionist e punëtor i zellshëm. 

Elmi Pasjaqës, kryekameraman në KTV, i kishte rënë gjatë të punonte me të. 

“Kam pasur nderin që në cilësinë e kameramanit të bashkëpunoja për një kohë të gjatë me Fisin në realizimin e emisioneve ‘Fauna jonë’, në të gjithë Kosovën. Fisniku ka qenë një profesionist i zoti duke na e lehtësuar shumë punën në realizimin e episodeve të emisionit”, ka thënë Pasjaqa. Ka shtuar se ai nuk do t’u mungojë vetëm familjes dhe të afërmve të tij, “por të gjithë bashkëpunëtorëve të shumtë që ai kishte”, ka thënë Pasjaqa. 

Lajmi për vdekjen e Vejsës ka qenë tronditës për Pasjaqën, pasi miqësinë e kontaktet i kanë ruajtur edhe pas kapitullit si kolegë në KTV. Tek tregon mesazhet e fundit shkëmbyer me të, Pasjaqa e kujton për sensin e hollë të humorit, edhe në rastet kur puna në terren kishte ndonjë “skenë” sfiduese. “Më kujtohet njëherë në Gjilan, kur na e mësyu një qen teksa po xhironim dhe gati u rrëzuam. Pasi shpëtuam Fisi më pyeste: ‘A shpëtoi kamera?’ Dua të them se në terren me Fisin ngado i kemi pasur dyert hapur, sepse ka pasur humor”, ka thënë ai. 

Producenti Genc Dobroshi ka qenë njeri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Vejsës. 

"Fisin do ta kujtojmë si koleg të afërt bashkë me të cilin kemi realizuar projekte ambicioze që do t’i mbajmë në mend përgjithmonë”, ka thënë Dobroshi. 

Edhe Mefail Bajqinovci, tash deputet, ka punuar gjatë me Vejsën në KTV. “Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut dhe ish- kolegut tim Fisnik Vejsa. Për vite të tëra kemi punuar bashkë në KTV me Fisin, djalë i qetë dhe shumë i dashur. Ike shumë herët, Fis. Do të të kujtojmë gjithmonë, shoku ynë. Ngushëllime familjes, kolegëve dhe gjithë atyre që e kanë njohur Fisin!”, ka shkruar Bajqinovci në rrjete sociale.