Arbëri

Sylejmani: Sot është momenti i duhur për ta hapur Urën e Ibrit

Rrahman Sylejmani, ish-kolonel i Policisë së Kosovës, u ka bërë thirrje autoriteteve që të marrin vendim për të hapur Urën e Ibrit në veri.

Ai ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se është premtuar nga shumë qeveri të kaluara për ta hapur urën, por Sylejmani ka theksuar se “tash është momenti më i mirë për ta hapur”.

“Ka pasur përpjekje edhe më herët nga qeveritë e kaluara për t’u hapur Ura e Ibrit. Edhe sikur të hapej ajo s’do mund të qëndronte asnjë ditë, e tash me krijimin e situatës nën kontroll s’ka asnjë telashe që të hapet. Sot është moment i duhur dhe s’duhet të shtyhet asnjë moment, qarkullimi i njerëzve dhe rendi e sundimi i ligjit nënkupton edhe qarkullimin e njerëzve”, ka deklaruar Sylejmani.

Ai ka theksuar se veriu i Kosovës po dëshmon që është i mbushur me armatim, por që “çdo ditë e më shumë po rritet rendi dhe ligji”.

Ish-koloneli i Policisë ka theksuar se Policia e Kosovës duhet t’i vazhdojë aktivitetet për shtrimin e sundimit të ligjit, duke theksuar se grupet kriminale “nuk janë krejtësisht në territorin e Kosovës”.

Banjska, për Sylejmanin, është zonë e lirë, por siguria e brishtë.

“Sot shkoni lirshëm në Banjskë, edhe pse ajo situatë është e brishtë. Është si nata me ditën sot në krahasim me para një vit. Qytetarë të rëndomtë janë të gëzuar se ekziston rendi e ligji, nga grupet kriminale kanë qenë të shantazhuar edhe qytetarët serbë në veri. Veriu është më i sigurt se regjionet e tjera sot, por ajo siguri është e brishtë pasi problemi final të zgjidhet, çështja e veriut, është problem politik. Disa veprime të qeverisë”, ka theksuar ai.

Ish-koloneli i Policisë ka shtuar se nuk beson që KFOR-i ka negociuar me sulmuesit e Banjskës për t’u larguar më 24 shtator, kur kishte ndodhur sulmi i armatosur.