Arbëri

MD-ja ndryshon nenin që flet për martesën, s'tregon kur do ta miratojë në Qeveri

Ministria e Drejtësisë ka ndryshuar në Projektkodin Civil nenin për martesën, përfshirë këtu edhe pikën që rregullon bashkësinë civile.

Kjo pikë, shkaku i së cilës është duke u kundërshtuar miratimi i Projektkodit edhe nga deputetë të partisë në pushtet, lejon regjistrimin e bashkësive civile mes personave të seksit të njëjtë.

Zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë nuk shpalosën hollësi. E, në Projektkodin Civil janë bërë edhe ndryshime të tjera. 

Në Ministri nuk treguan as kur dokumenti do të procedohet për votim në Qeveri.

“Drafti i Kodit Civil tashmë pothuajse është i finalizuar, me ndryshimet adekuate në nenin 1138 dhe ndryshime të tjera. Projektkodi do të procedohet për votim në Qeveri, për t’u finalizuar më pas si nismë pas procedurave votuese në Kuvend”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë.

Votim të shpejtë të këtij draftkodi ka paralajmëruar javën e shkuar kryeministri Albin Kurti. Gjatë qëndrimit në Gjermani, premtoi se do të angazhohet personalisht që të sigurojë votat e nevojshme për kalimin e tij në Kuvend.

Premtimi i kryeministrit ka rritur shpresën te avokuesit e të drejtave të komunitetit LGBTQ+.

Por Arbër Nuhiu, drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, thotë se nëse Draftkodi Civil miratohet në versionin e vjetër, ai do të dërgohet në Kushtetuese.

“Nëse ai draft shkon, ai nuk është çështje që është rregullu diçka. Normal, nëse mbetet ashtu na kemi me çu në Gjykatë Kushtetuese. Por unë nuk besoj që kryeministri, duke pasë parasysh deklaratat e tij, ka me dërgu atë Kodin Civil në versionin e vjetër, por jam shumë i bindur dhe i bëj thirrje Qeverisë që kjo çështje duhet me u rregullu brenda Kodit, përndryshe është shkelje e të drejtave të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Nuhiu.

Projektkodi Civil ka dështuar të miratohet dy vjet më parë. Kundër tij, krahas komuniteteve joshumicë patën votuar 14 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, e patën abstenuar 3 të tjerë.