Dy kandidatë shqiptarë

Zgjedhjet në Maqedoni, në të cilat “matet” edhe kryeministri i Kosovës

Në Maqedoni të Veriut të mërkurën do të votohet për presidentin e shtetit. Nga shtatë kandidatë, dy janë shqiptarë: Një grup subjektesh politike në krye me BDI-në janë rreshtuar në mbështetje të Bujar Osmanit, ndërkaq Arben Taravari ka përkrahjen e grupit të partive në koalicionin VLEN dhe i cili është mbështetur edhe nga kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do t’u drejtohen kutive të votimit të mërkurën për ta zgjedhur presidentin e shtetit. Nga shtatë kandidatët, në garë janë edhe dy të blloqeve politike shqiptare: Bujar Osmani dhe Arben Taravari.

Në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruara nëntë parti politike shqiptare, por ato tashmë kanë vendosur që në zgjedhje të marrin pjesë në njërin nga dy blloqet politike të partive në pushtet dhe opozitë. Fronti Evropian dhe koalicioni VLEN janë dy blloqet, që do të garojnë jo vetëm në zgjedhjet presidenciale, por edhe në ato parlamentare të 8 majit.

Për herë të parë në koalicion parazgjedhor “Fronti Evropian”, me BDI-në në mbështetje të Osmanit është përfshirë edhe PDSH-ja e Menduh Thaçit dhe Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës.
Ndërkaq Taravari, i cili u shkarkua nga partia pasi hyri në koalicionin VLEN, ka mbështetjen e Lëvizjes Besa, Lëvizjes Demokratike dhe të partisë Alternativa.

Taravari dhe koalicioni VLEN janë mbështetur në fushatë edhe nga kryeministri Albin Kurti dhe nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje. Opozita në Prishtinë dhe Fronti Evropian në Shkup, që për kandidat për president ka Osmanin, e kanë kritikuar këtë përfshirje të pushtetarëve të Kosovës në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut.

Gara është koncentruar tek kandidatët kryesorë maqedonas, që kanë pikëpamje të ndryshme për rrugën drejt BE-së.

Stevo Pendarovski synon mandatin e dytë dhe thotë se shteti duhet ta ndryshojë Kushtetutën, konform kërkesës për anëtarësim në BE.

“Pas më shumë se tri dekadash të pavarësisë, jam i bindur se qytetarët maqedonas mund të kuptojnë shumë mirë se programi i kujt është real dhe kush është në një hap me kohën në të cilën jetojmë”, ka thënë Pendarovski.

Kundër ndryshimeve kushtetuese është VMRO-DPMNE-ja, e cila për kandidate ka Gordana Siljanovska Davkova.

“Do të nisë një fazë e re reformash dhe për këtë nevojiten vërtet njerëz të zgjuar, punëtorë, të përkushtuar dhe të ndershëm”, ka thënë ajo.

Në listën e kandidatit për president është edhe Stevço Jakimovski, i cili është në listën e zezë të SHBA-së.

Për t’u zgjedhur president i Maqedonisë së Veriut, kandidati duhet të sigurojë së paku 50 për qind të votave. Nëse kjo nuk arrihet, raundi i dytë mes dy më të votuarve do të zhvillohet më 8 maj, ditë kur do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.

Partitë politike shqiptare deri më tani në të gjitha ciklet zgjedhore qofshin ato lokale, parlamentare apo presidenciale kanë marrë pjesë të vetme, pa ndonjë koalicion parazgjedhor mes tyre dhe kjo në disa raste ka çuar edhe në uljen e numrit të deputetëve për shkak të shpërndarjes së votës.
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ato kanë 29 deputetë nga 120 sa numëron institucioni ligjvënës.