Arbëri

Përfaqësuesit e Luginës kërkojnë përfshirje në dialogun Kosovë-Serbi

Descriptive Text

Janë bërë 32 vjet që nga mbajtja e referendumit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën. Në këtë përvjetor, përfaqësues politikë të Luginës ankohen se diskriminimi i tyre nga shteti serb vazhdon edhe sot. E nga Qeveria në Kosovë kërkojnë që të insistojë për ta përfshijë çështjen e tyre në dialogun e Brukselit

Kur janë bërë 32 vjet nga referendumi i 1 e 2 marsit të 1992-s, me të cilin u përcaktuan për Autonomi Politike e Territoriale me të drejtën për bashkim me Kosovën, shqiptarë të Luginës së Preshevës ankohen se gjendja e tyre nuk ka ndryshuar që atëherë.

Përfaqësues politikë të shqiptarëve në Luginë kanë thënë të shtunën se ndonëse referendumi u mbajt për t’i dhënë fund diskriminimit të tyre nga shteti i Serbisë, shkelja e të drejtave po vazhdon edhe sot.

Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë, shpreh habinë për mungesën e një reagimi të faktorit ndërkombëtar për represionin serb ndaj tyre.

“Nuk ka asnjë ndryshim edhe më të vogël të gjendjes së shqiptarëve në këto tri komuna, sepse Qeveria serbe asnjëherë më parë, por as edhe sot, nuk është e interesuar të zgjidhë problemet e shqiptarëve në pikëpamje të përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqip, sidomos të përdorimit të simbolit kombëtar”, ka thënë Mustafa.

Ai kërkon që Qeveria e Kosovës të jetë këmbëngulëse për ta përfshirë çështjen e shqiptarëve të Luginës në dialogun e Brukselit.

“Presim që Qeveria përfundimisht të ridizajnojë agjendën e bisedimeve në Bruksel duke kërkuar me ngulm, me këmbëngulje të madhe që në këtë tryezë të bisedimeve, jo që është e domosdoshme që akterët politikë të Luginës së Preshevës të jenë pjesë e tryezës, por ne ia kalojmë edhe ia kemi kaluar në kompetencë autoriteteve të Prishtinës zyrtare”, ka thënë Mustafa.

E kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, u shpreh i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës lidhur me këtë çështje.

“Qeveria duhet ta fusë në pikëpamjen e saj reciprocitetin që e ka premtuar me vite dhe në fund na ka tradhtuar. Shqiptarët e Luginës së Preshevës ndihen të tradhtuar qysh nga marrëveshja e Ohrit nga Qeveria e Kosovës. Në këtë kontekst, ne sot festojmë ditën e mbajtjes së referendumit të para tri dekadave, të vetmuar dhe të harruar nga Prishtina”, ka theksuar Arifi.

Shqiptarët në Luginë edhe tri dekada pas referendumit janë minoriteti më i diskriminuar në Serbi dhe të pabarabartë me serbët në aspektet sociale e zhvillimore si punësimi, shëndetësia e siguria.