Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, i ka quajtur të pakuptimta masat e BE-së ndaj Kosovës. Ajo ka thënë se është e pakuptimtë që masat vazhdojnë të mbesin në fuqi kundër Kosovës, derisa kanë dalë informacione mbi rolin agresiv të Serbisë.
Kusari-Lila ka përsëritur se për Serbinë ende nuk ka asnjë masë edhe pas sulmit të Banjskës, gjetjes së municionit me origjinë nga atje e lëvizjes së ushtrisë afër kufirit me Kosovën.
“Për heqjen e masave është një proces që nuk ka asnjë kuptim, d.m.th. mbajtja e masave ndaj Kosovës në kohën kur sot dalin informacione që jo vetëm që Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit por Serbia ka pasur të planifikuar një sulm tjetër dhe ka pasur lëvizje masive ushtarake drejt kufirit me Kosovën. Artikulli në Times ku tregohet se janë deklasifikuar informacionet nga Pentagoni dhe nga këshilltari për siguri të lartë të Shtëpisë së Bardhë për t’iu dhënë informacion dhe për të dërguar mesazh të shpejtë të gjitha vendeve anëtare të NATO-s se Serbia po bën lëvizje ushtarake drejt Kosovës për të parandaluar, e tregtojnë synimin e Serbisë ndaj Kosovës. Ndaj Kosovës janë masat në fuqi si rrjedhojë e shkuarjes së katër kryetarëve, ndërsa në Serbi nuk ka masa përkundër që e kanë organizuar e mbështetur një sulm terrorist e është gjetur gjithë ai municion”, ka thënë ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Kusari-Lila është shprehur se diskutimi për këto masa të BE-së “është i pakuptimtë në sistemin demokratik apo në mbajtjen e vlerave ku dy shtete duhet të maten në rrugëtimin drejt BE-së”.
Ndërsa, për dinarin ajo ka thënë se për këtë çështje në aspekt politik me Serbinë mund të flitet vetëm që transferet të bëhen përmes llogarive bankare.
“E vetmja formë e trajtimit të kësaj çështje janë lehtësirat për ngritjen e mënyrave, hapjen e llogarive, nga ana e përfaqësuesve të komunitetit serb që nuk kanë pasur të tilla në euro. I vetmi diskutim politik duhet të bëhet me Serbinë që ato transfere që vijnë në kesh në Kosovë të transferohen përmes llogarive bankare. Ky proces është rregulluar me Kushtetutë”.
Kuvendi mban dy seanca javën tjetër
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për një seancë të rregull më 7 mars, është thënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se 5 marsi që shënon 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së do të përcillet me seancë të veçantë.
“Seancë e rregullt do të mbahet me 7 mars. Kuvendi do të ketë edhe një seancë të veçantë që do të mbahet më 5 mars nga ora 10:00 dhe që shënon 26 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, në deklarimin pas mbledhjes së Kryesisë, teksa ka folur rreth agjendës parlamentare, i ka bërë thirrje Vetëvendosjes që të votojë themelimin e komisionit hetimor për rastin “Dehari”, që ka thënë se do të jetë në rend dite në seancën e radhës.
“Para pak ditës VV-ja dhe Kurti i festuan ditëlindjen të ndjerit, por më e rëndësishme është që para se ta festojnë ditëlindjen e tij të votojnë komisionin”, është shprehur Tahiri.
Shefi i Deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ata kërkojnë nga partia në pushtet që t’i mbështes dy nisma të tyre.
“Si Aleancë ne do t’i mbështesim marrëveshjet ndërkombëtare, përderisa kemi kërkesë eksplicite që të ketë reflektim në dy kërkesat tona kryesore, e para që lidhet me seancën e djeshme, me debatin e jashtëzakonshme lidhur me sigurimet shëndetësore, që të na votohet rezoluta, dhe që Ligji për sigurime shëndetësore të vije në Kuvend në maj në mënyrë që të miratohet para korrikut, dhe po ashtu që të amandamentohet Ligji i pagave”, ka theksuar Tahiri.
Ai ka thënë se AAK-ja nuk e ndërlidhë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me kërkesat e saj.