Arbëri

Abdixhiku: Qytetarët u harruan nga populizmi e çmenduria politike që ka kapluar vendin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar pushtetarët aktualë se i kanë harruar qytetarët nga populizmi dhe çmenduria politike.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka thënë se koha e LDK-së “po vjen”.

“Përbashkimi ynë, rritja jonë, punët e mbara që i bëjmë, na i vënë kundërshtarët përballë. Aty bëhen të gjithë bashkë kundër nesh; sikurse tash, sikurse bëheshin gjithherë. Por koha jonë po vjen”, ka thënë ai, duke ndarë pamje nga një takim me strukturat në Komunën e Prishtinës.

“Tani, nga këtu, dalim në terren. Aty do të flasim me qytetarët tanë. Ata, të harruarit e lënët pas nga populizmi e çmenduria politike që ka kapluar vendin tonë tash e sa kohë. Ata kanë nevojë për zërin tonë; dhe ne kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Në Prishtinë ne veçse kemi rigjetur njëri tjetrin. Do të jemi bashkë! Me gjithë strukturat tona, do të jemi në çdo lagje, në çdo hyrje, në çdo shtëpi, brenda në qytet e në çdo fshat”, ka shtuar ai.