Zëvendësministrat e Ministrisë së Financave (MF), Avni Zogiani dhe Agon Dobruna, drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj dhe kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, të mërkurën kanë vëzhguar nga afër ekipet inspektuese që kanë bërë inspektimin e punëtorëve të padeklaruar në Komunën e Prishtinës, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë dhe gastronomisë.
Nisja e kampanjës, sipas MF-së, ka synim që të gjobit punëdhënësit që shkelin ligjin.
“Në këto vizita të realizuara, bizneset dhe punëtorët u informuan rreth rëndësisë së deklarimit të punëtorëve dhe fillimit të kampanjës së gjithëmbarshme e cila ka për synim rritjen e zbatimit të ligjeve në fuqi përmes identifikimit dhe gjobitjes së punëdhënësve që shkelin ligjin dhe të drejtat e punëtorëve duke mos i deklaruar dhe duke mos ua paguar kontributet”, thuhet në njoftimin e MF-së.
Kanë ftuar të gjithë punëtorët t’i bashkohen kampanjës dhe të raportojnë nëse janë të padeklaruar.
Për të parë nëse jeni të deklaruar në ATK, ju lutem vizitoni vegëzën në vijim: https://apps.atk-ks.org/regemployer.
Nëse rezulton se jeni të padeklaruar, atëherë keni mundësi që ta raportoni punëdhënësin në vegëzën e njëjtë.