Arbëri

Tahiri: Kurti dështoi, Kosova u bë pikë e zezë me sanksione

Besnik Tahiri

Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti ka dështuar të ofrojë ndryshimin e premtuar, duke theksuar se s’është punuar “asgjë në qeverisjen e brendshme”.

Ai ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se nëpërmjet politikave populiste, kryeministri Albin Kurti ka bërë veprime “me zgjidhje më të lehta” që siç ka shtuar Tahiri, s’është ofruar zgjidhje reale.

“Ky ndryshim në fakt është dështim. Nëse e sheh çka ka ndodhur në këtë periudhë kohore, ky ndryshim është dështim pasi s’është punuar asgjë në qeverisjen e brendshme. Politika populiste të dështuara”, ka thënë shefi i GP të AAK-së.

Sipas tij, Kurti e ka humbur fokusin gjatë tri vjetëve të qeverisjes në dialogun me Serbinë, por as në këtë temë sipas tij, s’është arritur asgjë.

“I gjithë fokusi që ka qenë tash e një vit në dialog, ka qenë kohë e humbur për Kosovën dhe ka qenë dështim serioz i Qeverisë Kurti, duke pa se Kosova është nën sanksione. Jemi bërë pikë e zezë...Një pjesë e veriut u menaxhua mirë. Ka përparime kur flasim për menaxhimin e strukturave paralele. AAK-ja e ka mbështetur Qeverinë në Marrëveshjen Bazë...Por, fatkeqësi e madhe është që një temë e brendshme e dinarit të diskutohet në Bruksel”, ka theksuar ai.

Deputeti i AAK-së ka shtuar se çështja e dinarit është dashur të rregullohej nëpërmjet informimit paraprak të qytetarëve serbë.

“Dinari po na shkon në Këshill të Sigurimit, e s’po flitet për çështjen e Banjskës. Disa pensionistë kanë marrë pensione e disa kanë marrë rroga me dinarë. Është dashur vetëm t’i informojmë se nga kjo ditë nuk funksionon (përdorimi i dinarit v.j.)”, ka potencuar ai.

Tahiri ka shtuar se nëpërmjet zgjidhjes së çështjeve me Serbinë, rregullimin e sistemit të pagave në sektorin publik dhe privat, si dhe me realizimin e sigurimeve shëndetësore “Kosova do t’i tejkalonte problemet”.

“Këta ministra duhet të bëjnë gjithçka që të lënë një trashëgimi që kanë bërë diçka...Zgjedhjet erdhën, ne do të shkojmë në zgjedhje të rregullta pasi Kurti s’jep dorëheqje për t’i lënë privilegjet të cilat edhe ministrat po i shijojnë. Në kontekstin e rregullt, zgjedhjet shpallen në mes të gushtit, apo në mes të shtatorit. Në momentin kur Kuvendi shkon në pushim, në kur vijmë në shtator jemi në një rrethanë kur dihet data e zgjedhjeve. Në këta muaj, këta ministra duhet të punojnë shumë që t’i kryejnë punët. Duhet të fokusohen në zbatim të punës, të harrojnë dialogun”, ka shtuar ai.

Deputeti Tahiri ka shtuar se AAK-ja ka bërë punë gjatë Qeverisë Haradinaj “që populli do të jetojë me to”.