Arbëri

Maqedonci: Bazat ushtarake serbe përreth kufirit, kërcënim për stabilitetin rajonal

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur të mërkurën në takim anëtarët e Komitetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bundestagut gjerman, të udhëhequr nga kryetarja e këtij Komiteti, Marie Agnes Strack Zimmermann, të cilën e ka njoftuar mbi situatën e sigurisë në vend.

Në njoftimin e lëshuar nga kjo ministri, thuhet se Maqedonci është deklaruar mbi kërcënimin që paraqesin bazat ushtarake të Serbisë, të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën, për stabilitetin e vendit dhe rajonit, për çka ka thënë se duhet të ishte shqetësim për faktorin ndërkombëtar.

“Ministri Maqedonci i informoi anëtarët e këtij Komiteti për kapacitetet aktuale që FSK-ja ka për të garantuar mbrojtjen e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës dhe jetës së qytetarëve tanë. Ai ritheksoi se synimi ynë si shtet është anëtarësimi në NATO, sipas standardeve të së cilës aleancë po vazhdohet me implementimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, ndërtimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të ushtrisë tonë”, thuhet më tej në njoftim.

Maqedonci ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e shtetit gjerman ndaj Republikës së Kosovës dhe praninë e shtuar të trupave gjermane në kuadër të KFOR-it.