Arbëri

Bekaj: Liderët autoritarë si Putini e Vuçiqi po presin kthimin e Trumpit

Armend Bekaj, ligjërues dhe hulumtues në Universitetin suedez Uppsala, ka thënë se liderët autoritarë si Vladimir Putini i Rusisë dhe Aleksandar Vuçiqi i Serbisë po presin kthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë për synimet e tyre shoviniste dhe ekspansioniste.

Në mes të luftës në Ukrainë, ish-presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë deklarata kërcënuese për NATO-n nëse vjen në pushtet. Kjo po vlerësohet si një “dhuratë” që mund t’i bëhej Putinit që do ta përforconte pozicionin e Rusisë karshi Ukrainës. Zgjedhjet në SHBA do të mbahen në nëntor të këtij viti.

Sipas Bekajt, rreziku është evident nëse vjen Trumpi në pushtet.

“Do të ishte e pasaktë nëse do ta relativizoja këtë sfidë që na pret të gjithëve. Rreziku është evident, sidomos me ardhjen e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Jemi të vetëdijshëm me komentet e fundit që ka bërë për NATO-n. Lider autoritar si Putini në Rusi apo Vuçiqi në Serbi e presin këtë gjë, e kanë pritur edhe në të kaluarën ardhjen në pushtet të një lideri si Trumpi që do t’i jepte hapësirë për synimet e tyre ekspansioniste e shoviniste. Çka të bëjmë ne? Lufta është opsioni i fundit i mundshëm, por jemi të vetëdijshëm.... të shpresojmë dhe të punojmë për paqe, por të përgatitemi, fatkeqësisht, edhe për mbrojtje nëse vjen puna”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Ligjëruesi i paqes në universitetin suedez ka thënë se, në prag të dyvjetorit të sulmit rus mbi Ukrainën, luftës nuk po i shihet fundit.

“Është ndoshta fitorja më e madhe e palës ruse në këto muaj [pushtimi i qytetit të Avdiivkas nga Rusia]. Është mposhtje e Ukrainës dhe të gjithë aleancës perëndimore. Por në anën tjetër nëse i shikojmë shifrat, bëhet fjalë për 300 apo 400 mijë rusë të vrarë apo të plagosur, që është numër më i madh se ushtarët ukrainas. Rusia është shtet i dërmuar ekonomikisht dhe i ndarë politikisht, edhe pse nga jashtë nuk shihet. Ekonomia e Rusisë është përqendruar vetëm në luftë. Kemi hyrë në një periudhë ku kësaj lufte nuk po i shihet fundit”, ka thënë ai.

Bekaj ka theksuar se është shumë e vështirë që të ketë fitore totale “nga njëra palë” në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Pse kjo luftë është kaq e veçantë është se kemi të bëjmë me një superfuqi bërthamore, me një Rusi imperialiste që po tregon shenja të kërcënimit të paqes dhe rendit botëror”, ka shtuar ai.

Bekaj beson se përkrahja për Ukrainën do të vazhdojë, pavarësisht se ndihma e SHBA-së ka ngecur në SHBA.

“Që Ukraina të jetë në pozitë të mirë, furnizimi me armë duhet të intensifikohet”, ka thënë ai.