Arbëri

Tenderi për skrap, KEK-u shpall fitues borxhliun e ATK-së

Me shpërfillje ligjore është përcjellë tenderi i Korporatës Energjetike të Kosovës për shitjen e skrapit. Përveçqë KEK-u e kishte paditur për mashtrim dhe ia kishte shkëputur dy kontrata më herët, Grupi i operatorëve ekonomikë fitues në kohën e rekomandimit për kontratën e tretë kishte edhe borxhe ndaj Administratës Tatimore të Kosovës. E Ligji për Prokurimin Publik ua ndalon operatorëve ekonomikë të marrin pjesë në aktivitete të prokurimit ose ekzekutim të ndonjë kontrate publike nëse janë vonuar të paguajnë çfarëdo kontributi për sigurim social apo tatim në Kosovë

Korporata Energjetike e Kosovës e ka shpërfillur Ligjin e Prokurimit Publik dhe kriteret që i kishte përcaktuar vetë kur e ka përzgjedhur Grupin e operatorëve ekonomikë “DT Mininig” dhe “Metal Mix” për shitjen e skrapit. Kur ishte rekomanduar për kontratë ky Grup i OE-ve kishte borxhe ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, gjë që përbën shkelje ligjore dhe shpërfillje të kritereve të përcaktuara në Dosjen e Tenderit. Çështjen e borxheve e ka konfirmuar ATK-ja në përgjigjet që i ka dërguar rreth një muaj pasi KOHA kishte deponuar ankesë ndaj këtij institucioni në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

“Sa u përket tatimpaguesve në fjalë, mund t’ju konfirmoj që kanë obligime tatimore mirëpo për shumën se sa kanë obligime nuk mund të japim informacione, pasi që sipas ligjit, shuma e borxhit është konfidenciale me nenin 66 të Ligjit Nr.08/L-257 për administrimin e procedurave tatimore. Borxhi u ka takuar viteve 2018-2021”, thuhet në përgjigjet e ATK-së.

Ligji për Prokurimin Publik ua ndalon operatorëve ekonomikë të marrin pjesë në aktivitete të prokurimit ose ekzekutim të ndonjë kontrate publike nëse operatori është vonuar të pagimin e çfarëdo kontributi për sigurim social apo tatim në Kosovë.

“4. Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik:...4.8. aktualisht është me vonesë në pagimin e çfarëdo kontributeve për sigurim social apo tatim në Kosovë ose në vendin e themelimit të operatorit ekonomik, përveç ku një borxh i tillë është vërtetuar të jetë jo i rëndësishëm në Kosovë”, thekson ndër të tjera neni 65 i Ligjit Nr. 04/L-042 për prokurimin publik kur flet për “Pranueshmëria e Kandidatëve ose Tenderuesve”.

Çështja e borxhit ishte specifikuar edhe në Dosje të Tenderit, te “Pranueshmëria e operatorëve ekonomikë”, ku theksohej se duhej një vërtetim i nënshkruar nga Administrata Tatimore se operatori ekonomik në fjalë nuk është me vonesë për pagimin e tatimeve së paku deri në tremujorin e fundit të vitit para dorëzimit të tenderit.

Procedurat për këtë aktivitet të prokurimit kishin nisur në 2020, ndërkohë që Grupi i OE-ve ishte rekomanduar për kontratë në 2021.

Lidhur më këtë çështje, të enjten KOHA u ka dërguar pyetje Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit, por nuk ka pranuar përgjigje.

Për çështjen e kësaj kontrate dhe për borxhin, nuk janë përgjigjur as nga Kompania “DT Mining”, ani se pyetjet u janë dërguar që nga 10 janari.

Në ATK kanë thënë i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e parapara me Ligj për mbledhjen e borxheve tatimore.

“Po, subjektet në fjalë kanë lidhur marrëveshje për pagesë të borxhit me këste. Ende janë në proces të pagesës së borxheve sipas marrëveshjes/programimit. Po, kanë borxhe të reja”.

KOHA ka raportuar se si Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë kontratë me këtë kompani ndaj së cilës në 2020 kishte deponuar kallëzim penal dhe ka ngritur padi nën dyshimin për mashtrim.

https://www.koha.net/arberi/408102/shitja-e-dyshimte-e-skrapit-te-kek-ut/

Kjo është kontrata e tretë që e fiton “DT Mining” për blerjen e mbeturinave metalike në KEK, pas shkëputjes së dy kontratave të mëhershme, më 2019 e 2020, nën akuzën për mashtrim. KEK-u e kishte hedhur përgjegjësinë te OSHP-ja se i ka detyruar të lidhin kontratën. Ndërkohë, OSHP-ja ishte arsyetuar se nuk lejohet eliminimi i një operatori ekonomik pa u konstatuar shkelje me vendim të gjykatës.