Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se nuk do të ketë zbatim të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit pa nënshkrim.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Bajqinovci ka thënë se pala serbe e ka bërë të qartë se nuk do ta zbatojë asnjë pikë të marrëveshjes, andaj sipas tij, edhe qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti se s’ka zbatim të marrëveshjes pa nënshkrim nga Serbia, është i drejtë.
“Nuk do të jetë i mundur zbatimi i marrëveshjes pa u nënshkruar. Qeveria e Kosovës e ka bërë të ditur dhe ashtu edhe janë dakorduar që marrëveshjet të bëhen me nënshkrim, por ne e dimë faktin që Serbia as nuk i ka nënshkruar, por që besa ka dërguar edhe letër Ana Bërnabiq, ku ka thënë që ne nuk i zbatojmë asnjë nga këto pika të cilat janë ë Brukselit. Pra, kryeministrja e Serbisë deklaron se nuk do t’i zbatojnë këto marrëveshje. As të nënshkruara e as të panënshkruara”, ka thënë ai.
Sipas Bajqinovcit, Kurti e ka mbajtur fjalën e tij ndaj bashkësisë ndërkombëtare, pasi është zotuar që zbatimit do të fillojë në plotëni, por me nënshkrim të dokumentit.
“Ne si Qeveri e kemi bërë të ditur se jemi të gatshëm në çdo kohë që në momentin kur nënshkruhet, këtë e ka bërë edhe kryeministri Kurti në Bruksel dhe në takimet në Ohër që është i gatshëm në çdo kohë të nënshkruajë, nëse pala serbe nënshkruan, ne do ta fillojmë zbatimin nga 1 deri në 10. Duhet si dokument të zbatohet i tërësishëm e jo të nxirren pika që po kërkohen nga bashkësia ndërkombëtare, edhe ashtu e panënshkruar si dokument që vetëm Asociacioni të fillojë të zbatojë, i panënshkruar nga pala serbe. Mendoj se z.Kurti i ka dalë bashkësisë ndërkombëtare në fjalë që ta nënshkruajnë dokumentin dhe ta fillojnë zbatimin në plotëni, ashtu siç janë zotuar”, ka thënë ai.