Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Maqedoni të Veriut, Arben Taravari, është shprehur optimist se Gjykata do t’ia japë atij të drejtën për udhëheqjen e partisë, pasi deponuan ankesë për Kuvendin e thirrur nga Ziadin Sela para pak ditësh. Në një intervistë për “Interaktivin” e KTV-së të martën, Taravari ka thënë se synon të bëhet kandidati i parë shqiptar për president që kalon në rundin e dytë në zgjedhjen presidenciale në Maqedoni.
Aleanca për Shqiptarët është ndarë në dy taborë. Taravari, që u zgjedh kryetar i ASH-së në dhjetor të vitit 2022, ka thënë se partia duhet të shkojë në zgjedhjet në Maqedoni, që pritet të mbahen në maj, së bashku me partitë opozitare shqiptare. Por krahu i Ziadin Selës këmbëngul që ASH-ja të shkojë e vetme në zgjedhje.
Para pak dite, Sela thirri një Kuvend Zgjedhor në të cilin u zgjodh kryetar i partisë. Por po konsiderohet si “Kuvend i parregullt” nga krahu i Taravarit.
Taravari është shprehur se cilitdo të jetë vendimi i Gjykatës, do ta respektojë. Megjithatë, beson se do të jetë në favor të tij.
“Fatkeqësisht, edhe në Aleancën për Shqiptarët, sikur në shumicën e partive këtu, ka pas tronditje të caktuara dhe këtu te ne ndodhi një farë franksionimi, 20 apo 30 për qind e partisë është larguar. Edhe pse plot prej atyre njerëzve komunikojnë me mua, por kanë telashe sepse kanë pozicione të caktuara në qeveri. Kuvendi, sipas statutit të ASH-së, duhet të thirret me 2/3 të anëtarëve, dhe ata nuk e kanë pas numrin, ose mund Kuvendi mund ta thirrë kryetari i partisë, që jam unë. Mbi gjysmën e anëtarëve e kemi ne, prandaj është e pamundur që ata të kenë shumicën. Pavarësisht se besimi në sistemin e drejtësisë në Maqedoni është i vogël, do ta pranoj dhe respektoj çdo vendim të Gjykatës. Argumentet dhe faktet janë në anën tonë dhe besoj se do ta marrim ne të drejtën”, ka thënë Taravari që aktualisht është edhe kryetar i Gostivarit, duke shtuar se dje e kanë deponuar ankesën, ndërsa brenda 50 ditësh pritet përgjigja.
Taravari ka thënë se me Selën, që ishte për tetë vjet kryetar i ASH-së, janë ndarë miqësisht. Në Kuvendin e thirrur nga Sela kishte reagime të ashpra ndaj Taravarit.
“Me Selën jemi ndarë miqësisht. Ai mendonte se duhet të dalim vetëm në zgjedhje, unë mendoj se duhet të bëhemi bashkë sepse ndryshe i shkon në favor BDI-së. Unë kam punuar me Selën sa ka qenë kryetar i ASH-së për tetë vjet, me insistimin e tij. Dhe për këtë arsye, kurrë nuk do ta them ndonjë fjalë për të. Në takimin e fundit para dhjetë ditësh, jemi marrë vesh që të kemi dy seli, një në Shkup dhe një në Tetovë. E kam lënë të zgjedhë Selën dhe e ka zgjedh në Shkup, ne e kemi në Tetovë derisa të ketë vendim gjykate”, ka shtuar ai.
Taravari ka thënë se ka pasur përpjekje që shqiptarët të garojnë të gjithë së bashku në një listë. Por ka theksuar se realizimi ishte i pamundur.
Aleanca për Shqiptarët aktualisht është pjesë e pushtetit në Maqedoni, në të cilin udhëheq kryeministri teknik Talat Xhaferi që vjen nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Taravari ka deklaruar se disa funksionare të ASH-së “u afruan shumë me BDI-në” prej që janë në pushtet.
Ai është shprehur i bindur se me koalicionin me partitë opozitare shqiptare në zgjedhjet parlamentare do ta mposhtin BDI-në, të cilën e fajëson për përçarjen në partinë e vet.
“Prej vitit 2011, opozita shqiptare ka marrë më shumë vota se BDI-ja, por opozita nuk ka arritur të bëhet bashkë. BDI-ja ka përdorur mekanizma si të shkaktojë kriza nëpër partitë opozitare shqiptare, ashtu si tash tek Aleanca për Shqiptarët. Kjo krizë nuk është e ASH-së, por krizë e shkaktuar nga BDI-ja”, ka deklaruar Taravari.
Taravari pritet të jetë kandidati për president i opozitës shqiptare. Zgjedhjet presidenciale do të mbahen në kohë të ngjashme si ato parlamentare në Maqedoni.
Ai do të jetë zyrtarisht kandidat për president kur të arrijë kuotën e 10 mijë nënshkrimeve, të cilën konsideron se do ta përfundojë brenda një dite.
“Më 23 shkurt hapet afati për nënshkrimet. Për një ditë do t’i mbledhim 10 mijë nënshkrime”, ka theksuar ai.
Si sfidë, ai e ka konsideruar kalimin në rundin e dytë në garën për president.
“Sfida ime është që për herë të parë shqiptarët të dalin në balotazh në garën për president”, ka thënë Taravari, teksa ka shtuar se do të ishte garë interesante nëse BDI-ja e vendos Ali Ahmetin si kundërkandidat të tij.
Sa i përket bashkëpunimit me njërën nga dy partitë e mëdha maqedonase, Taravari ka thënë se do të përkrahin partinë e cila do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese dhe do ta vazhdojë rrugën evropiane të Maqedonisë.
Taravari: Kurti ka autoritet të pakontestueshëm në Maqedoni të Veriut
Kandidati për president të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut po ashtu ka folur edhe për përkrahjen që po merr nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
“Kurti është duke u zhvilluar në një kryeministër model në rajon. Padyshim, ai ka autoritet të pakontestueshëm në Maqedoni. Ku është fati të kemi sa më shumë personalitete si Kurti në rajon. Është frymëzuesi i të rinjve që shohin një farë shprese”, tha Taravari.
Taravari ka folur edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Shqipëria dhe Kosova padyshim që kanë një impakt në Maqedoni dhe në politikat që i bëjmë realisht, çdo herë jemi konsultuar me Prishtinën dhe Tiranën. Ka njëfarë relacioni i cili është i patjetërsueshëm, mendoj se duhet të jeni në koordinim me disa gjëra. Edi Rama nuk është që nuk ka ndihmuar në mënyra indirekte më shumë, vazhdimisht zotëri Ahmetit i ka dhënë krah në zgjedhjet lokale”, tha Taravari.