Këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU), duke thënë se nëse ajo shqetësohet aq shumë për procesin e dialogut dhe të drejtat e komuniteteve atëherë “le t’i trajtojë e t’i ftojë në takim me Lajçakun, e të shkojë në delegacion, me përfaqësues nga Lugina e Preshevës”.
“Aty mund të shfaqet ajo që z. Lajçak e quan ‘zërat nga terreni’”, ka shkruar Klisman Kadiu në Facebook.
Bislimi të mërkurën i reagoi emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, duke e akuzuar për anshmëri.
Bislimi kishte reaguar se Lajçak në një postim në “X”, ku kishte treguar për takimin me NCEU-n, nuk kishte treguar se ajo është e Serbisë dhe se nuk kishte treguar se në të ishin kryesisht pjesëtarë të OJQ-ve serbe nga Kosova.
Ndaj kësaj reagoi NCEU, duke thënë se etiketimet e tij ndaj organizatave të shoqërisë civile janë kundër frymës së dialogut dhe vlerave evropiane.
E Kadiu ka thënë se reagimi i Bislimit kishte qenë ndaj Lajçakut dhe jo nga NCEU-t, por ai i është kundërpërgjigjur.
“Ka shumë keqinterpretime e konstatime të gabuara në reagimin e NCEU. Fillimisht, reagimi ynë ka qenë ndaj z. Lajçak dhe anshmërisë së tij në proces. Nuk ka qenë ky reagim ndaj NCEU. Por meqënëse NCEU po e përdor këtë publicitet për promovim të saj, është mirë të qartësohen disa elemente. Së pari, Kapitulli 35 është në MSA të Serbisë e jo Kosovës. Se si mund të kontribuojnë OJQ-të e Kosovës, në MSA të Serbisë, kjo mbetet për t'u qartësuar nga vetë NCEU, por mesa po shihet, bart qëndrime radikale e jokonstruktive, duke e parë Kosovën si pjesë të Serbisë. Së dyti, duhet të qartësohet, se Serbia ka MSA të veten, e Kosova ka MSA të veten. Procesi teknik i rrugës drejt BE-së dhe avancimi me MSA-në dhe zbatimin e reformave, janë të dy shteteve të ndryshme e nuk kanë lidhshmëri me njëra tjetrën. Madje MSA e Serbisë, në kuadër të së cilës ky rrjet i organizatave edhe punon, nuk e mbulon Kosovën (neni 135). Së treti, është detyrë e OJQ-ve të Serbisë, ta ndihmojnë shtetin e tyre në përmbushjen e kapitujve të tyre, e jo e OJQ-ve të Kosovës. Normalisht, kjo përveç nëse siç konstatuam më herët, NCEU e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë. Në këtë rast, duhet të japin shpjegime mbi këtë qëndrim të tyre, i cili thyen vlera e parime demokratike, e është pasqyrim i ambientit destruktiv që frymëzohet nga Beogradi zyrtar”, ka shkruar Kadiu.
Kadiu ka thënë se çdo tentim nga autoritetet e Serbisë apo edhe nga të tjerët, që të inkorporojnë perspektivën e organizatave të Kosovës si të ishin të Serbisë është “kundër frymës, vlerave dhe realizimit të këtij objektivi”.
“Shto këtu se Serbia është një vend me status kandidati për BE dhe ka hapur tashmë negociatat në këtë proces. Kjo nuk është fryma e duhur se si duhet të ndodhë dialogu sidomos në rastet kur shkëmbehen pikëpamje nga situata në terren. Nuk janë ankesat në këtë formë tek z. Lajçak, kontribuues në rolin të cilin shoqëria civile duhet ta ketë. Pretendimi implicit se Kosova është Serbi përmes akteve të tilla nuk është kontribuues i frymës pozitive në dialog. Ajo çka do të ishte pozitive është komunikimi me OJQ të Kosovës, e në Kosovë, duke respektuar kështu shtetësinë e Republikës së Kosovës. Nëse NCEU shqetësohet kaq shumë për procesin e dialogut dhe të drejtat e komuniteteve, le t'i trajtojë e t'i ftojë në takim me Lajçak, e të shkojë në delegacion, me përfaqësues nga Lugina e Preshevës. Aty mund të shfaqet ajo që edhe z. Lajçak e quan, ‘zërat nga terreni’”, ka shkruar Kadiu.