Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për paqartësi në deklaratën e tij të fundit në platformën X.
Ajo ka kërkuar nga Kurti që të jetë më i qartë në lidhje me zbatimin e disa masave, për të cilat, sipas saj, nuk i ka specifikuar.
Derisa ka kërkuar sqarime, Çitaku ka thënë se dëshiron ta dijë nëse Kurti e ka shtyrë zbatimin e rregullores për valutat e huaja, apo bëhet fjalë për çështje tjetër.
“Në Tëitter, me një gjuhë të paqartë, duket se Kryeministri qenka tërhequr nga zbatimi i disa masave, dhe kërkon edhe nga institucionet tjera që të veprojnë njëjtë. Po flet për disa informata gjithëpërfshirëse që do të bëhen të ditura ditëve në vijim. Kryeministër, a po tregon shkurt e shqip çka ke dashur të thuash se nuk të kuptuam. A e ke shtyrë zbatimin e rregullores për valutat e huaja? Apo bëhet fjalë për ndonjë zmbrapsje tjetër? Sinqerisht nuk të kuptova”, ka shkruar ajo.
Kurti ka njoftuar se nuk do të ketë masa ndëshkuese për ata që nuk e respektojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit për pagesa.
“Qeveria e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit dhe u bën thirrje shtyllave të tjera që të mbajnë të njëjtin qëndrim me përkushtim. Jemi duke punuar për informacione më të plota, të cilat do t'i zbulojmë gjatë ditëve në vijim”, ka thënë ai.
Postimi i Kurtit në platformën X:
The government of Kosova, within its competences, will not enforce any punitive measures during the transition period and is calling on other pillars to maintain the same stance dutifully. We are working on more comprehensive information, which we will unveil in the coming days.
— Albin Kurti (@albinkurti) February 12, 2024
https://www.koha.net/arberi/409022/kurti-nuk-e-kthejme-pas-vendimin-e-bqk-se-per-dinarin/