Qeveria e Kosovës i ka dalë në mbështetje Bankës Qendrore të Kosovës, një ditë para se të hyjë në fuqi rregullorja e re që specifikon se euroja do të mbetet e vetmja valutë zyrtare në Kosovë, duke përjashtuar dinarin serb me të cilin Serbia i paguan qytetarët serbë në veri të Kosovës.
Në një konferencë për media të mërkurën, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka përsëritur se “euroja ka qenë dhe do të jetë valuta e vetme zyrtare”.
Megjithatë, ai ka thënë se nga 1 shkurti nuk do të nisin masat ndëshkuese, por do të ketë investime në informim për qytetarët serbë.
Bislimi ka thënë se rregullorja e re e BQK-së ka qëllim ta mbrojë integritetin financiar dhe ta mbrojë konsumatorin dhe sistemin e pagesave.
“Tentativa e datës së hyrjes së fuqi nga këndi i ndikimit për dinar, e shpërfill rregulloren në tërësi dhe devalvon të gjitha këto që rregullojnë...”, ka thënë ai duke shtuar se BQK-ja “as që merret me dinarin serb”.
Bislimi ka shtuar se “asnjë qytetar nuk ka arsye t’i frikësohet zbatimit të rregullores së re të BQK-së”.
Bislimi ka thënë se mekanizmat e Qeverisë që mbikëqyrin këtë rregullore do të fokusohen për investim në informim dhe do t’u kërkohet bizneseve në veri që të regjistrohen e komercializohen. Ka shtuar se bankat komerciale janë udhëzuar të hapin degë në veri.
Bislimi ka shtuar se Qeveria ka lutur menaxhmentin e BQK-së që të vendosë linjë komunikimi me Bankën e Serbisë për të gjetur "mekanizëm për transfer transparent të mjeteve".
Bislimi ka thënë se në Kosovë vijnë më pak se 200 milionë euro e se vendosja e transparencës e vë në siklet presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se çka ndodh me 600 milionë eurot, që i përmend ai.
Sipas tij, janë 90 mijë individë që marrin pagesa nga Serbia, edhe pse në asnjë statistikë nuk dalin 90 mijë qytetarë serbë në veri.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se janë 40 mijë llogari bankare në dispozicion të serbëve që mund të pranojnë pagesa edhe në transfere ndërkombëtare.
“Përdorimi i valutës së huaj për pagesa – në një shtet ku valuta është euro, është tepër e përshtatshme që pagesa të kryhet me euro”, ka thënë ai.
Murati ka thënë se do të ketë fushatë që bizneset të fiskalizohen. “Jemi të përkushtuar që të ofrojmë edhe masa mbështetëse edhe për të gjitha bizneset e tjera”, ka thënë ai.
Shtetet e QUINT-it (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë kërkuar nga Kosova që të pezullohet rregullorja e BQK-së, e cili është paraparë të hyjë në fuqi nga 1 shkurti.
Rregullorja e re e BQK-së, e lëshuar javë më parë, kërkon që të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen me euro nisur nga 1 shkurti, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb në vend.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.
Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.