Arbëri

Qeveria paralajmëron se së shpejti do të vendosë për targat e Serbisë

Qeveria e Kosoves

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se së shpejti do të vendosë lidhur me lejimin e qarkullimit të veturave me targa të Serbisë në territorin e Kosovës pa vendosjen e letër ngjitësve.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka deklaruar se Policia është duke monitoruar me kujdes zbatimin e vendimit të Serbisë për qarkullimin e veturave me targa RKS.

Sipas tij vendimi i Qeverisë për t’i lejuar veturat me targa të Serbisë, pa letër ngjitës, të qarkullojnë në territorin e Kosovës do të merret mbi bazën e parimit të reciprocitetit dhe do të jetë i mbështetur mbi analizat dhe përfundimet e policisë kufitare mbi nivelin e zbatueshmërinë së vendimit nga ana e Serbisë.

“Policia jonë kufitare është duke monitoruar me kujdes zbatimin e vendimit të Serbisë për qarkullimin e veturave me targa RKS. Siç kemi thënë edhe javën e kaluar, sjellja dhe vendimi ynë do të jenë mbi bazën e parimit të reciprocitetit dhe i mbështetur mbi analizat dhe përfundimet e policisë kufitare mbi nivelin e zbatueshmërinë nga ana e Serbisë. Një vendim pritet që të merret së shpejti”, ka deklaruar Kryeziu për KOHËN.

Më 1 janar ka nisur zbatimi i vendimit, që mundëson lirinë e lëvizjes për të gjitha automjetet nga Kosova që shkojnë në drejtim të Serbisë, pa obligimin që mbishkrimi RKS të mbulohet me letër ngjitëse.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e kaluar, ka theksuar se do të marrë vendim për t’i lejuar targat e Serbisë, pasi të sigurohet se fqinji verior po e zbaton plotësisht dhe pa pengesa vendimin që targat RKS të qarkullojnë lirshëm në Serbi.

Mbulimi i simboleve të Serbisë, përkatësisht të Kosovës, me letër ngjitëse ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më 30 shtator 2021, nën ndërmjetësimin e Brukselit.

LEXO EDHE: