Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’u kërkojë katër komunave në veri të Kosovës 12 milionë euro për ta paguar një pjesë të borxhit të KOSTT-it si pasojë e devijimit të energjisë në rrjetin evropian të transmisionit ENTSO-E.
Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, që prezantoi propozimin, kërkesa për mbështetje financiare nga KOSTT-it është bërë nën arsyetimin se rrezikon likuiditetin nga ndëshkimet.
“Kemi pranuar para dy ditësh kërkesë për mbështetje financiare, për shkak se ndërmarrja ka problem me likuiditet dhe rrezikon nga ndëshkimet, si rezultat i devijimeve të energjisë në rrjetin evropian të transmisionit, devijime që vijnë për shkak të katër komunave në veri. Si Qeveri kemi thënë se energjia duhet të paguhet nga ata që e shpenzojnë dhe pavarësisht devijimeve do të konsiderohet borxh. Marrë parasysh se kjo është shpenzuar nga qytetarët që jetojnë në këto katër komuna, është më se e drejtë që edhe barra për pagesë të këtij borxhi t’u takojë atyre. Në mënyrë që të paguhet një pjesë e borxheve kemi kërkuar nga këto katër komuna që ta deklarojnë buxhetin e tyre si kursim, përfshirë edhe fondin zhvillimor të mirëbesimit që tashmë është i alokuar në këto komuna. Këto mjete do të përdoren për të shlyer një pjesë të borxhit ndaj KOSTT-it”, ka thënë Murati.
Sipas tij, për këtë devijim Mitrovica e Veriut duhet të ndajë 6.5 milionë euro, Zveçani 1.1 milionë euro, Zubin-Potoku 1.6 dhe Leposaviqi 2.6.
Në vendim abstenoi ministri Nenad Rashiq.
KOHA do të përpiqet të marrë përgjigje nga komunat për këtë kërkesë. Artikulli do të përditësohet.
-
Afro 19 milionë euro, borxhi i komunave veriore për energjinë
-
Qeveria ndan mbi 17 milionë euro për rrymën në veri
-
Kosova shkakton devijime në rrjetin interkonektiv, ZRRE-ja paralajmëron masa ndaj operatorëve
-
ZRRE: Vendimi për rritje të tarifave të energjisë nuk i përfshin katër komunat në veri
-
Vendimi për rritjen e tarifave të rrymës nuk do t'i përfshijë katër komunat veriore