Arbëri

Lajçaku njofton se “Elektroseveri” e ka nënshkruar kontratën për energjinë me KEDS-in

Miroslav Lajçak

Miroslav Lajçak

Foto: Driton Paçarada

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njoftoi të shtunën se kompania serbe, "Elektrosever", ka nënshkruar kontratë komerciale për energjinë me kompaninë kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS).

“E mirëpres nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale mes KEDS-it dhe "Elektroseverit". Ky është hap i rëndësishëm në implementimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE-ja dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai në platformën X.

Udhërrëfyesi thoshte se "Elektroseveri" do të nënshkruante marrëveshjet e nevojshme brenda afatit që nga lëshimi i licencës, megjithatë ishte kritikuar se s’po e bën një gjë të tillë.

Marrëveshja për Energji parashihte që qytetarët në veri të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar nga vjeshta e vitit 2022 - për herë të parë pas më shumë se dy dekadash.

"Elektrosever" është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë - EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Kjo kompani është paraparë të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës - pjesë e banuar me shumicë serbe.

Licencimi i saj është paraparë me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, apo udhërrëfyesin, është arritur më 21 qershor 2022.