3 perditesime
20:40

Elezi nga Ministria e Arsimit: S’kemi pritur ngritje në testin e PISA-s

Fatmir Elezi, zyrtar i lartë për standarde dhe vlerësim në Ministrinë e Arsimit, ka thënë se nuk kanë pritur ngritje në testin e PISA-s, ku pas rezultateve të shpallura të martën, Kosova renditej në vendet e fundit.

Por Elezi, ashtu sikurse ministrja e Arsimit, Arbëri Nagavci, e kanë identifikuar pandeminë si një prej indikatorëve që solli dështimin në PISA.

“Nuk kemi pritur ngritje, por kemi shpresuar që të kemi ngritje të rezultateve. Niveli 2 është i dëshirueshëm. Synimi duhet të jetë që nivelin 2 ta kalojnë 50% e nxënësve. 15 shtete janë më poshtë se Kosova sa i përket niveleve”, ka thënë Elezi në “Konfront” të KTV-së.

Nga këto rezultate, Elezi ka thënë se ose duhet ta shfrytëzojmë mundësinë që t’i identifikojmë të metat ku i kemi në sistem, ose siç thotë ai, ta ngrisim gishtin ndaj dikujt dhe ta kritikojmë.

“Dy gjëra duhet me u hek prej shkollave: politika dhe interesi”, ka shtuar Elezi.

20:34

Saqipi: S’kemi indikacion që jemi duke i përpunuar rezultatet e PISA-s

Blerim Saqipi dekan i Fakultetit të Edukimit, ka thënë se rezultatet e PISA-s janë prit me dëshpërim nga masa.

Sipas tij, rezultatet e vitit 2015 kanë qenë më shqetësuese, pasi sipas tij, deri atëherë funksionohej me supozimin që gjërat në arsim nuk janë shumë keq.

Ka shtuar se vlerësimet që pasuan më tej do të duhej të shfrytëzoheshin për të përmirësuar gjendjen në arsim.

“Ky vlerësim që erdhi tani tregon se kemi rënie nëpër vende të ndryshme dhe sisteme të avancuara. Si Kosovë në një mënyrë ose tjetër, rezultatet e tilla kanë qenë të pritura. Shqetësuese është që Kosova nuk krahasohet me vendet e rajonit. Gjendja është shumë shqetësuese sepse këta të rinj vazhdojnë të bëhen mësimdhënës dhe inxhinierë. Ajo që duhet të diskutohet sot, është që pse Kosova vazhdon të marrë pjesë në këto hulumtime si PISA. Ajo që më shqetëson është që nuk kemi asnjë indikacion në nivel të sistemit që jemi duke i përpunuar këto rezultate”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kosova ka plane strategjike për fushën e Arsimit.

Ka shtuar se duhet të definohet arsyeshmëria e pjesëmarrjes në këto teste ndërkombëtare.

20:27

Pupovci: E kemi ditur që gjendja në arsim është keq, nuk ka llogaridhënie

Eksperti i fushës së arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se rezultatet e dobëta në testin ndërkombëtar PISA, kanë qenë të pritshme pasi gjendja në arsim është e keqe.

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Pupovci ka thënë se nga viti 2018 deri më tani nuk ka pasur veprime serioze për përmirësim të gjendjes.

“Ka qenë plotësisht e qartë që gjendja të arsim nuk është e mirë dhe në kohën kur është organizuar testi në vitin 2022, atëherë si zëvendësministër i arsimit më kanë pyetur se çfarë rezultate presim. Gjithnjë jam shprehur shumë qartë që nuk pres përmirësim në rezultate duke e pasur shumë të qartë që prej vitit 2018 deri në kohën e mbajtjes së testit nuk ka pasur veprime serioze për përmirësimin e gjendjes. Kemi pasur ndryshim të katër ministrave, sigurisht që ka pasur neglizhencë në punë, por ka pasur edhe një periudhë dyvjeçare të pandemisë, kur çdo gjë ka qenë e çrregulluar në procesin mësimor. Mua më ka goditur kjo që ka pasur përkeqësim”, ka thënë Pupovci.

Sipas tij, deri më sot nuk ka llogaridhënie në sistemin e arsimit.

“E kemi ditur që gjendja është keq. Kjo po ndodhë sepse ne deri sot nuk kemi arritur që në sistemin e arsimit të krijojmë një sistem të përgjegjësisë së llogaridhënies. Mendoj që përgjegjësia në shkolla do të rritej shumë po kishim testet kombëtare më kredibile, po të mos kishte kaq shumë kopjim në teste. Do të zhvillohej një punë shumë më e mirë me nxënës”, është shprehur ai.


Pupovci: Në rezultatet e PISA-s më 2018, shkollat private ishin më mirë sesa ato publike

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se në rezultatet e testit PISA të vitit 2018, shkollat private kanë performuar më mirë sesa ato publike.

Pupovci ka thënë se në lëndët si matematika, nxënësit e shkollave private kanë pasur rreth 100 pikë më shumë sesa ata të shkollave publike.

Sipas tij, duhet të përforcohet inspektimi dhe të rregullohet organizimi nëpër shkolla.

“Duhet të përforcohet inspektimi, duhet nëpër shkolla të rregullohet organizimi, posaçërisht i menaxhmentit të mesëm, po ju sjelli një të dhënë, ekziston në Kosovë dallim mjaft i madh ën rezultatet e testit mes shkollave publike dhe private. Në kuptim të numrit të pikëve, shkollat private janë më mirë. P.sh, te shkollat publike më 2018 ka qenë 365 pikë matematika, ndërsa në shkollat private ka qenë pothuajse 100 pikë më shumë. Krejt ka të bëjë me organizimin”, është shprehur ai.

20:25

Gjinovci për rezultatin e PISA-s: Presidentja është dashur ta thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Rron Gjinovci nga organizata ORCA ka thënë se presidentja Vjosa Osmani është dashur ta thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas rezultateve të testit “PISA 2022”, ku Kosova renditej ndër vendet e fundit.

Sipas Gjinovcit, rezultatet do të thonë se Kosovës i kanoset një rrezik shumë i madh.

“Unë e kam një problem me mënyrë qysh u trajtu kjo çështje. Kam pritur që presidentja me thirr Këshillin e Sigurisë Kombëtare sepse po na kanoset një rrezik shumë i madh. Nxënësit 15 vjeç, tash 16, 85 për qind e tyre nuk din me kuptu një tekst. Më vonë, ata kanë me kry fakultetin. Shumica e njerëzve që janë t’u kry profesion janë duke shkaktuar rrezik që s’dinë me kry punën e tyre”, ka thënë Gjinovci në “Konfront” të KTV-së.

Gjinovci ka vlerësuar se analfabetizmi është çështje e sigurisë kombëtare. Ka bërë një paralele me zgjedhjet në SHBA të vitit 2017, ku fitoi Donald Trump.

“SHBA-së ia ka ndiku zgjedhjet Rusia, nashta edhe Kina sepse populli amerikan nuk e ka prioritet mësimin. Fitoj Donald Trumpi që ishte rrezik për krejt botën. Analfabetizmi është rrezik, është çështje e sigurisë kombëtare. Dy-tri shtete që janë më të forta se na muden me kriju një dizajn për me deviju popullatën tonë”, ka thënë ai.

Gjinovci, që merret me arsim qe një kohë të gjatë në Kosovë, ka thënë se është edhe më i shqetësuar me reagimin e Qeverisë. Sipas tij, këto rezultate s’kanë justifikim.

“Jam i shqetësuar me Qeverinë, që pavarësisht kësaj, vazhdon me u marrë me tema të tjera. Dy rreziqe i kemi të mëdha, Serbinë dhe analfabetizmin. Tepër i shqetësuar jam me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci”, ka thënë Gjinovci.

Nëse trajtohet nga instancat më të larta kjo çështje, sipas Gjinovcit, atëherë ka shpresë se mundet me u përmirësu cilësia në arsim.


Gjinovci: 80% e mësimdhënësve do të dështonin po të testoheshin në diktim

Rron Gjinovci nga organizata Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ka thënë se 80 deri në 90 për qind e mësimdhënësve dështojnë po të testoheshin në diktim.

Në debatin mbi rezultatet e Kosovës në testin PISA, të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Gjinovci ka thënë se me justifikimet që mësimdhënësit e vendit janë më të përgatitur sesa mesatarja e ECD-së, MASHTI jeton në gënjeshtra.

“Kur MASHTI gjejnë justifikime të tilla, kjo tregon që nuk do të bëhet asgjë. Jam i bindur se po t’i marrim 80 apo 90 për qind të arsimtarëve dhe t’i fusim në diktim, dështojnë. Shiheni në çfarë deluzioni jeton Ministria e Arsimit, këta shkojnë në punë duke menduar që ne i kemi mësimdhënësit më të përgatitur sesa mesatarja e ECD-së. Kjo është ofenduese për ne që jetojmë në Kosovë, sepse të gjithë e dimë se nuk është ashtu. Kjo është tragjedi, kjo është tragjike. Çka ka bërë në rritjen e autonomisë së shkollave? Cilin ligj e ka ndërruar ministria?”, ka thënë ai.

Gjinovci ka thënë se fajet për rezultatet e Kosovës në testin ndërkombëtar PISA të vitit 2022 i ka kryeministri Albin Kurti.

“Çka është dallimi midis kësaj Qeverie dhe asaj Haradinajt, sa i përket rezultatit të testit PISA? Zero dallim. Gjithnjë e kemi fajësuar Ramush Haradinajn, fajin e kanë pasur ai e Thaçi, ndërsa tani e ka Albin Kurti. Albin Kurti i ka fajet për mosmarrjen e masave për testin PISA për vitin 2022”.