Arbëri

LDK: Rezultatet e PISA-s tregojnë degradim të sistemit arsimor

Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Sadriu Lushaku, ka thënë se rezultatet e testit të PISA-s e flasin për degradim të sistemit arsimor, teksa tha se këto të dhëna janë shqetësuese jo vetëm për Ministrinë e Arsimit, por edhe për shkollat në Kosovë.

Në një konferencë për media, ajo tha se MASHT-i ka dështuar t’i organizoj testet kombëtare, por edhe në bashkorganizimin e testit të PISA-s.

“Raportet ndërkombëtare në Kosovë flasin për politika komplet jo adekuate dhe për asnjë rezultat. Flasin për degradim të sistemit arsimor duke mos dhënë asnjë rezultat në performancën e nxënësve. I referohem rezultateve të testit të PISA-s e cila Kosovën e rangon edhe më poshtë se në vitin 2018. Të dhënat janë shqetësuese jo vetëm për Ministrinë, por edhe për shkollat por edhe për përfitimet që i kanë nxënësit dhe masin se sa nxënësi përfiton nga shkolla. Këtu shohim një dështim në mënyrën e bashkorganizimit nga MAShT-I të testit PISA. Ashtu siç janë bërë edhe testimet kombëtare që MAShT-i ka dështuar t’i organizojë ato, ka dështuar si Ministri të adobtojë rrethanat ku nxënësi kosovarë do të tregonin performancë më të mirë”.

Ajo tha se arsimi nuk është prioritet i Qeverisë sepse sipas saj MASHT-i nuk ka bërë asnjë hap në organizimin e shkollave.

“Për të ardhë te rezultatet ose tek analizat e mirëfillta ne duhet të shohim se çka bën MASHT-i sot në arsim. Fillimisht dua të them se arsimi nuk është prioritet i kësaj Qeverie. Në vitet paraprake kur rezultatet e testit PISA janë publikuar, Vetëvendosje ka bërë thirrje për seanca të jashtëzakonshme. Është pikërisht sot VV ajo që nuk tregon përkujdesin minimal për arsimin.

E shohim një ministri që nuk ka bërë asnjë hap në organizimin e shkollave. Shkolla është njësia celulë e organizimit të arsimit. Ku janë shkollat sot? Shkollat sot nuk kanë një sistem të etabluar menagjerial në mes veti, por edhe shkollat përbrenda nuk kanë kapacitete për ta organizuar mësimin ashtu siç duhet. Vetë MASHT-i konstaton se 73% e paraleleve, 33% të shkollave nuk kanë kapacitete minimale për organizimin e mësimit në Kosovë. Tani shtrohet pyetja legjitime: Kush është përgjegjës për krijimin e kushteve? Ministria e ka buxhetin që duhet të bëj investime kapitale. 10% është shifra e investimeve kapitale në vitin 2022, e 16% deri në shtatorin e vitit 2023. Kjo flet shumë për seriozitetin që ka ministria për t’i ngritë kapacitetet infrastrukturore të shkollave tona”, tha Lushaku.

Zyrtarja e LDK-së gjithashtu tha se Ministria e Arsimit i ka lënë shkollat pa buxhet dhe se kjo vështirëson mënyrën e organizimit të mësimit, kurse si faktor tjetër të gjendjes së arsimit ajo përmendi edhe kurrikulat për të cilat tha se janë të stërngarkuara, për të cilat tha se kanë rritur edhe numrin e lëndëve.

“Çështja tjetër është mënyra se si Ministria i lë shkollat pa buxhet dhe pa mundësi për të ekzekutuar asnjë cent të buxhetit të dedikuar shkollave të tyre. Sot kemi drejtor shkolle që sot asnjë shkumës nuk ka kompetenca që ta blejë vetë. Duhet të shkojë në komunë për rregullimin e kompetencave. Kurrikulat janë të stërngarkuara dhe asnjë hap nuk është marrë nga kjo ministri për shqyrtimin e kurrikulave”./ KP