Arbëri

Sijarina: Po tentojmë ta rrënojmë mendësinë që po rezulton e dhunshme

Qindra qytetarë kanë protestuar të martën në Prishtinë duke kërkuar drejtësi për gratë e vrara. Ajo nisi pasi në një fshat të Prishtinës më 29 nëntor u vra Liridona Ademaj, e nga tre të arrestuar për veprën është bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili porositi vrasjen e saj.

Liridona Sijarina, aktiviste në Kolektivin për Mendim dhe Veprim Feminist, ka thënë se përmes kësaj proteste insistohet në një transformim të gjithë shoqërisë, e ku dhuna nuk është në mesin e saj.

“Insistimi i kësaj proteste është një transformim i tërë shoqëror. Kjo kërkesë e jona është se ne nuk duam të kemi një shoqëri ku dhuna është aty... Ne shohim burra dhe gra që janë të angazhuar në kauzën për drejtësi shoqërore. Çka na duhet është që të bëhemi bashkë. Bashkimi si sot dhe të tjera mund ta bëjnë këtë transformim shoqëror, sepse ne fillojmë t’i dëgjojmë nevojat e grave, i shohim çka nënkupton dhuna gjinore”, ka thënë ajo.

Sijarina ka theksuar se ndryshimi fillon nga reflektimi individual. Ndërsa ka shtuar se shteti po dështon që të merret me dhunën ndaj grave.

Ajo ka thënë se ka rritje të dhunës dhe se lidhet me krizat shoqërore që i përjeton individi.

“Çka po tentojmë të rrënojmë është mendësia dominuese dhe hierarkia shoqërore e politike që krijohet, dhe që i krijon disa persona të privilegjuar që janë kryesisht burra... Ne po duam ta sulmojmë idenë e privilegjit dhe hierarkisë shoqërore që po rezulton e dhunshme”, ka shtuar ajo.