Arbëri

Townsend: Ballkani të mos mbetet larg vëmendjes së SHBA-së dhe BE-së

Ish Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes për Evropën dhe Politikën ndaj NATO-s, Jim Townsend vlerëson se një nga zhgënjimet më të mëdha të zhvillimeve të pas Luftës së Ftohtë në Evropë janë dështimi i shteteve të Ballkanit për të arritur paqen me njëra-tjetrën.

“Mendoj se situata aktuale e sigurisë në Evropë është pak befasuese për të gjithë ne që punuam për rindërtimin e Evropës pas Luftës së Ftohtë në vitet ‘90-ta, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe zgjerimit të NATO me shtetet e Ballkanit. Ne u përpoqëm të parashikojmë një Evropë ku integrimi do të ndodhte përmes anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Në atë kohë madje flitej që edhe Rusia mund t’i bashkohej NATO-s. Kjo, tingëllon tani si ide e çmendur, por në fillim të viteve ’90, ishte një ide që diskutohej seriozisht. Nuk e mendonim që zhvillimet do të merrnin këtë drejtim, sidomos ato që po ndodhin me Rusinë. Siç e dini, gjatë viteve ‘90 ndodhën edhe luftërat në Ballkan. Diplomacia në atë kohë, disa udhëheqës të guximshëm... bënë punë mjaft të mirë për të vendosur paqen në Ballkan, për të menaxhuar shpërbërjen e Jugosllavisë. Në fundin e asaj dekade, ne patëm një vizion për Evropën, përfshirë Ballkanin, e paramendonim një të ardhme krejtësisht ndryshe. Shumë prej atyre parashikimeve kanë ndodhur. Zgjerimi i NATO-s, zgjerimi i BE-së, shumë prej vendeve të Ballkanit janë inkuadruar në NATO. Por Rusia është befasia më e madhe, sepse shkoi në një drejtim krejtësisht tjetër nga ai që mendonim atëherë. Dhe ky është njëri prej zhgënjimeve. Zhgënjimi tjetër ishte, se sinqerisht shpresonim se vendet e Ballkanit do të arrinin paqe shpejt me njëri tjetrin dhe do të integroheshin në institucione evropiane si NATO dhe BE-ja. Kjo do të ndodhë, kam besim se do të ndodhë, por më ngadalë se sa shumë prej nesh duam”, tha Townsend për “Zërin e Amerikës”.

Townsend, i cili ka luajtur një rol kritik për zgjerimin e NATO-s dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me demokracitë e reja që dolën pas shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se tridhjetë vjet pas “paralajmërimit të Krishtlindjes” që presidenti Bush i bëri Serbisë për Kosovën, gjasat për shpërthimin e luftës janë të vogla, por Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe NATO-ja, duhet të vazhdojnë të përqendrohen në problemet në Ballkan dhe të sigurohen që ato nuk do të lihen jashtë vëmendjes.

“Nuk konsideroj se do të përsëritet në formën si ndodhi gjatë viteve ’90 kur luftimet ishin me të vërtetë të tmerrshme. Ishim dëshmitarë të shumë tragjedive, shumë vdekjeve të civilëve. Nuk mendoj se do të ketë një shpërthim lufte siç ndodhi atëherë. Por, të gjithë jemi të shqetësuar që ende ka mundësi konflikti atje. Gjatë muajve të fundit kemi parë rritje të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë në veçanti, dhe gjithashtu në Bosnjë ka trazira politike. Por ajo që ndryshon tani nga vitet 90-ta është prania e Bashkimit Evropian dhe NATO-s me KFOR-in, në terren. Sot kemi mjete në dispozicion për ta menaxhuar konfliktin dhe për ta parandaluar shpërthimin e tij, që atëherë nuk i kishim. Vitet ‘90 ishin një periudhë gjatë të cilës bashkësia ndërkombëtare mësoi se çfarë lloj mjetesh na duheshin atje... Mendoj se mësuam nga ajo periudhë njësoj sikurse edhe vendet e Ballkanit. Konflikti gjithmonë ka mundësi të ndodhë, por tani kemi mjetet që të parandalojmë përsëritjen e asaj që ndodhi në vitet ‘90”.

Për rritjen e pranisë së forcave paqeruajtëse në Kosovë e Bosnjë, Townsend, ka thënë se duhet treguar seriozitet me shtimin e forcave.

“Mendoj se ja vlen të provohet. Unë i mbështes përpjekjet e Bashkimit Evropian. E di se me vite të tëra kanë qenë të angazhuar me NATO-n dhe me SHBA-të në përpjekje për të dalë me qasje politike që mund të funksionojnë, dhe jo të gjitha kanë funksionuar, por disa po...

Por konsideroj se nëse BE-ja tregohet këmbëngulëse, ndoshta ndërkohë do të ketë ndryshim politik në Serbi. Nuk duhet hequr dorë, duhet të provojmë mjete të ndryshme dhe mënyra të ndryshme që mund të ndikojnë për të sjellë ndryshime politike apo të ndryshojnë qëndrimet politike, të dalim me kompromis. Duhet të ulemi në tryezë dhe të diskutojmë ide të ndryshme për të arritur kompromis. I mbështes përpjekjet e BE-së. E di që do të jetë vështirë, por duhet të provojmë, njësoj siç duhet të shtojmë forcat e KFOR-it dhe misionet e tjera kur konflikti përshkallëzohet. Duhet ta tregojmë seriozitetin tonë duke shtuar forcat për të ruajtur stabilitetin”, tha Townsend./VoA