Arbëri

Vrasjet brutale të grave në Ballkan ngrenë alarm për lëshimet në sistem

Një 26-vjeçare nga Serbia ka rrëfyer se bashkëshorti vazhdimisht e ka përdhunuar, e ka rrahur dhe e ka ngufatur, duke e mbajtur të izoluar në banesën e tyre në Beograd (Foto: AP)
 

“Situata është e ngjashme në Kosovë, një tjetër shoqëri ballkanike tejet patriarkale dhe e orientuar drejt meshkujve. Atje, përdhunimi i një vajze 11-vjeçare vitin e kaluar nga pesë sulmues shkaktoi protesta në rrugë duke kërkuar siguri për gratë, gjë që çoi në dorëheqjen e shefit të policisë”, shkruan “Associated Press”

Një burrë në Bosnjë-Hercegovinë e vrau gruan e tij dhe të gjithë ngjarjen e transmetoi drejtpërdrejt në Instagram. Në Serbi, 27 gra u vranë sivjet në sulme me bazë gjinore, me gjithë përpjekjet për ta rritur ndërgjegjësimin dhe për ta ndryshuar trendin. Aktivistët në Kosovë thonë se dhuna ndaj grave përbën “një emergjencë kombëtare”.

Në një shkrim mbi rastet e dhunës ndaj grave në vendet e Ballkanit Perëndimor, agjencia e lajmeve “Associated Press” vlerëson se gratë në rajon ngacmohen, përdhunohen, rrihen dhe vriten shpesh nga partnerët e tyre, ani se ato e raportojnë vazhdimisht dhunën tek autoritetet. Agjencia e përshkruan rajonin si jashtëzakonisht konservator, me një traditë shekullore të dominimit të meshkujve, porse thekson që problemi është rritur pas luftërave të viteve 1990 dhe krizave politike, ekonomike dhe sociale që kanë vazhduar që nga përfundimi i konflikteve.