4 perditesime
22:34

Koci: Kushdo që e përmend Kanunin, duhet të procedohet penalisht

Avokati Arianit Koci ka thënë se kushdo që e përmend Kanunin menjëherë duhet proceduar publikisht.

Koci ka thënë se përmendja e Kanunit për të zgjidhur rastet, është kërcënim publik dhe duhet të merret prokuroria.

“Shoqëria është aq e dhunshme. I ka detyruar dy prindër me thënë, se me pas ditë çfarë kanë bërë do t’i kishin vrarë djemtë e tyre. Çështja e Kanunit në këtë rast po e lëmë anash, pasi familja Ademaj ka deklaruar se nuk ka përmendur Kanun. Por, a e dini sa herë është përmendur në raste të tilla Kanuni publikisht. Kushdo që e përmend Kanunin bën kërcënim publik dhe ai duhet të procedohet menjëherë penalisht. Nuk ka këtu Kanuni çka me u përmend, në media vazhdimisht kanë kërcënuar me Kanunin. Horr u bonëm”, ka thënë Koci në “Konfront” të KTV-së. “Jemi ambientu, dikush e përmend Kanunin, askush nuk reagon. Duhet menjëherë prokuroria me reagu”.

20:59

Ramaj: Familja e Liridonës asnjëherë s’ka thënë se do ta ndjekë Kanunin

Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, ka thënë se familja e Liridona Ademajt - e vrarë nga bashkëshorti i saj javën e kaluar – asnjëherë nuk ka thënë se për vrasjen e saj do të marrë hak ashtu siç parashikonte Kanuni.

“Familja e Liridonës nuk e ka thënë asnjëherë që do ta ndjekë me kanun këtë çështje”, ka thënë ajo.

Ramaj ka theksuar se vrasja e Ademajt është nga më makabret që ka ndodhur pas luftës.

“Kur ne si publik po e kemi një uri të madhe për t’i ditur motivet, po duket sikur një mesazh që ndoshta ka motive për të cilat arsyetohet vrasja. Është i parëndësishëm motivi. Vrasja e Liridonës është femicid dhe është një nga vrasjet më makabre që ka ndodhur pas luftës”.

Sipas Ramajt, gjykimi që u bëhet grave që përjetojnë dhunë në familje nuk vjen vetëm nga burrat në institucionet e sigurisë, por edhe nga gratë në pozitë.

“Gjykimi në polici, gjykata, prokurori nuk ka të bëjë me gjini sepse pjesë e kësaj mendësia patriarkale janë edhe gratë edhe burrat. Ndoshta jo në masë të njëjtë, por ka gra që gjykojnë dhe burra që gjykojnë në këtë mënyrë që ndonjëherë dhuna duhet të jetë tepër e vërejtshme, që të shihen shenja, se nëse nuk ke shenja pse duhet me shku në gjykatë”, ka përfunduar ajo.

Të martën mbrëma vëllai i Liridona Ademajt, Leonard Ademaj, ka shkruar në Facebook duke kërkuar drejtësi të shpejtë dhe profesionale, “pa vonesa dhe pa gabime”. “Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet. Ne besojmë në institucionet e shtetit dhe presim që të ndajnë drejtësi”, ka shkruar ai.

20:51

Koci: Sistemi i drejtësisë është pasqyrë e primitivizmit në shoqërinë tonë

Avokati Arianit Koci ka ngritur dy çështje shqetësuese që dalin në pah pas vrasjes së Liridona Ademajt nga bashkëshorti i saj javën e kaluar.

Ai ka theksuar se nuk po flitet për fëmijët e viktimës dhe se, sipas tij, po promovohet kanuni.

“Kjo ka të bëjë me shoqërinë patriarkale, sa më e prapambetur është një shoqëri dhuna ndaj gruas që kulmon në vrasje është më e theksuar. Janë dy çështje që po më shqetësojnë. Askush nuk po flet për fëmijët. Fëmijët kanë mbetur pa nënë e pa baba. E dyta, me të madhe po promovohet kanuni, po flitet për besë, për dy ditë, tri ditë”, ka thënë ai.

Koci ka shtuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë është pasqyrë e primitivizmit të shoqërisë.

“Pozita e gruas në shoqërinë kosovare nuk është e mirë. Raportohen për shembull në ditë 10 raste të dhunës në familje, 50 nuk raportohen. Sistemi i drejtësisë është pasqyrë e një primitivizmi që mbretëron në shoqërinë tonë”.

20:37

Syla: Jetojmë në një shoqëri që të lë të mendosh se mund ta vrasësh lehtësisht një grua

Aktivistja për të drejtat e grave, Mirishahe Syla, ka thënë se në institucione shtetërore të Kosovës ka plotë njerëz që e përkrahin dhunën e po ashtu i shohin burrat si natyrshëm më të dhunshëm.

Syla në “Konfront” të KTV-së thotë se në shoqërinë kosovare të lë të mendosh se është shumë e lehtë të vrasësh një grua.

“Jeton me një shoqëri, që në një mënyrë të lejon të mendosh se mund ta rrahësh gruan, abuzosh dhe vrasësh e ka mundësi të mos ndodh gjë. Mund të shpallesh edhe fajtor, por të gjejnë rrethana lehtësuese ta ulin dënimin. Ky sistem shoqëror funksionon edhe brenda institucioneve shtetërore, e riprodhojnë njëra-tjetrën. Në shtet ka plotë njerëz që e përkrahin dhunën dhe mendojnë se burrat natyrshëm janë më të dhunshëm”, ka thënë Syla.


Syla: Ka mungesë të vullnetit nga Qeveria për të bërë ndryshime shoqërore

Aktivistja për të drejtat e grave, Mirishahe Syla, ka thënë se ekziston mungesa e vullnetit nga ana e ekzekutivit për të bërë ndryshime shoqërore.

Syla ka akuzuar Qeverinë se nuk ka kurrfarë vullneti për të filluar punën në mënyrë që të rikrijohet një mentalitet tjetër jopatriarkal.

“Mënyra se si institucionet tona e trajtojnë dhunën në bazë gjinore, që së pari nuk e trajtojnë si të tillë, fjalët që po thuhen në publik dhe veprimet e tyre absolutisht nuk ndërlidhen. Nuk ka kurrfarë vullneti të Qeverisë për të dashur të të ndërhyjë në themelet e problemit. Të gjitha arsyet e mundshme, thirrjet nga publiku, të dhënat Qeveria i kanë që dëshmojnë se sa e nevojshme është të fillohet të punohet në rikrijimin e një mentaliteti tjetër. Ka vetëm mungesë të vullnetit për të bërë ndryshime shoqërore”, ka thënë ajo.

Sipas Sylës, fakti që pas një vrasje të një gruaje përmendet kanuni, tregon se ende mendohet rregullimi i asaj forme të raporteve gjinore.

“Kanuni ka qenë një prej rregullatorëve kryesorë të raporteve gjinore, përfshirë edhe vrasjen e grave, e ka rregulluar edhe vrasjen e grave. Fakti që kur ndodh një vrasje e tillë dhe menjëherë na lidhet me kanunin, tregon se si ende i mendojmë këto raportet gjinore kaq të rregulluara”, është shprehur ajo.

20:29

Kika: Shumë gra nuk e raportojnë dhunën derisa binden se mund të vriten

Avokatja Rina Kika ka thënë se shumë vajza e gra nuk e raportojnë dhunën ndaj tyre në familje derisa të binden se mund të vriten.

Të martën në “Konfront” të KTV-së, Kika ka thënë se në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, që dyshohet të jetë porositur nga burri i saj, Naim Murseli, nuk dihet nëse ka pasur dhunë paraprakisht.

“Shumë prej vajzave dhe grave nuk i raportojnë rastet e dhunës në familje në polici apo në instanca të tjera të shtetit. Nuk i raportojnë derisa të binden se mund të vritet një person. Nuk e di në rastin e Liridonës nëse ka pasur dhunë paraprakisht. Shumë prej grave në momentin kur e kuptojnë se mund t’i vrasin, atëherë e raportojnë dhunën”, ka thënë ajo.

Sipas Kikës, kur vrasjet ndodhin në një raport intim, shumica prej tyre janë raste të femicidit.

“Femicidi nuk determinohet në bazë të motivimit subjektiv që ka pasur kryerësi i veprës penale, mirëpo nëse i shkojmë standaredet e të drejtave të njeriut që përcaktohen nga organet e ndryshme të OKB-së, femicidin e përcaktojnë disa faktorë të ndryshëm”, është shprehur ajo.


Kika: Detyrimi i shtetit për mbrojtje të viktimave të dhunës, shumë më i madh se fakti se a është penduar apo jo

Avokatja Rina Kika ka thënë se shteti e ka për obligim mbrojtjen e grave ndaj dhunës, pavarësisht se a është penduar viktima apo jo.

Kika ka thënë se me obligimet që shteti ka bazuar në Konventën e Stambollit, edhe nëse viktima tërhiqet nga denoncimi, Gjykata duhet ta trajtojë rastin me provat që i ka.

“Me konventën e Stambollit, nuk ka lidhje se a tërhiqet viktima prej denoncimit, gjykata duhet t’i trajtojë provat e rastit dhe mund ta konsiderojë si rrethanë lehtësuese nëse viktima ia ka falur kryerësit dhunën që e ka përjetuar. Gjykata nuk mund të vendosë në bazë të asaj që viktima është tërhequr nga denoncimi. Shteti e ka për obligim pozitiv mbrojtjen e grave prej dhunës. Edhe po të tërhiqet viktima, shteti e ka detyrim ta bëjë vlerësimin e rrezikut në bazë të provave që i ka në dispozicion. Nuk ka rëndësi se a tërhiqet viktima, sepse detyrimi i shtetit për ta mbrojtur atë është shumë më i madh sesa çfarëdo çështje aty se a është penduar viktima a jo”, ka theksuar ajo.

Ajo më tej ka thënë se ekziston një dallim midis tërheqjes nga procedura penale dhe faljes ndaj kryerësit të veprës.