Luljeta Demolli, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, ka thënë se Kosova është prapa sa i përket mbrojtjes së grave.
Në emisionin “60 Minuta”, ajo ka kërkuar nga Qeveria që ta krijojë një task-forcë të veçantë për femicid.
“Ajo (Liridona Ademaj) ishte shtetase suedeze, e solli në Kosovë sepse konsiderohet që në Kosovë mund ta vrasësh një grua më lehtë, ka mundësi të ikësh më lehtë, nuk ishte rasti i vetëm i Liridonës, e kujtojmë rastin e gruas italiane që u vra nga bashkëshorti, u hodh nga dritarja. Kosova lëngon nga mbrojtja për gratë”, ka thënë ajo.
Demolli tutje ka theksuar se gratë në Kosovë shihen si të pavlera.
“Jeta e grave kosovare shihet si më e pavlerë në shoqërinë kosovare, gratë në Kosovë në shumë aspekte e kanë jetën më të pavlerë për shkak të patriarkatit, moskordinimit të institucioneve të sigurisë, ekonomisë, drejtësisë, arsimit, për ta sjellë në prioritet pozitën e gruas në shoqërinë kosovare”.
Demolli ka thënë se gratë sot janë më të pasigurta në shtëpitë e tyre dhe se shpesh përjetojnë dhunë.
“Shtëpia sot është më e pasigurt se kurrë, sidomos pas pandemisë, për gratë”.