Kryetari i Sindikatës së pavarur të minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi, ka thënë se marrëveshja që kanë arritur për ndërprerje të grevës më menaxhmentin nuk është duke u respektuar.
Januzi, të hënën, në një intervistë ne emisionin “Interkativ” në KTV, ka thënë se marrëveshja ka qenë që pagat të ekzekutohen nga 6-10 të muajit vijues por se pagat e tetorit i kanë marr më 27 nëntor.
“Edhe pas arritjes se marrëveshjes, edhe pas zotimit të deputetëve dhe Bordit mbikëqyrës dhe drejtorit për monitorim të ndërmarrjeve publike, se pagat do të realizohen me kohë dhe se nuk do të ketë vonesa, dhe do të fillohet me përmirësimin e kushteve dhe të sigurisë në punë, në një farë forme ne u tradhtuam sepse deri më datën 27 nëntor nuk është arritur të sigurohet paga e muajit tetor”, ka deklaruar Januzi.
Ai ka theksuar se nuk e përjashtojë mundësinë që të mbajnë sërish grevë.
Januzi është ankuar për mungesë të kushteve dhe investimeve në ndërmarrje.
“Ka mungesë të kushteve elementare për punë, nuk i kemi mjetet elementare për eksploatimin e prodhimit, ka ditë të tëra që na mungojnë edhe mjetet e eksplozivit e nafta. Nuk është detyrë e minatorit ta furnizojë minierën me derivate, është detyre e menaxhmentit ... Minatorët punojnë në kushte të mjerueshme, kemi mungesë të ajrit si pasoje e mungesës së investimeve në kompresorë e ventilatorë”, është shprehur Januzi.
Januzi akuzon menaxhmentin e “Trepçës” se dha para për largim nga linja sindikale
Ai ka thënë se kanë informata ta sigurta se manxahmenti i “Trepçës” u ka ofruar para minaotrëve që të largohen nga linja sindikale.
“Ne kemi informata që menaxhmenti ka dhënë shuma të mëdha të parave, vetëm për largimin nga kjo linjë sindikale”, ka theksuar ai.
Ai ka thënë se këto informata i kanë marr nga minatorët që kanë qenë pjesë e takimeve me anëtarë të mënaxhmentit.
Sipas tij menaxhmenti vlerëson se Kryesia e Sindikatës nuk u shkon për shtatit.
Januzi ka thënë se për gjendjen në ndërmarrjen “Trepça” duhet të akuzohen të gjitha partitë politike që kanë qenë në pushtet që nga paslufta.