Arbëri

Demolli për burgun e dhënë me qira: Danimarka po tregohet raciste

Valentina Demolli nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), derisa ka folur për burgun e dhënë me qira për Danimarkën në Gjilan, ka thënë se shteti danez po tregohet racist, pasi sipas saj, të gjithë të dënuarit që pritet të depërtohen në Kosovë janë të shteteve të treta dhe jo vendas.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Demolli ka thënë se KMDLNJ-ja vazhdon ta kundërshtojë këtë marrëveshje.

“Që nga lajmi se do të ketë një marrëveshje midis Kosovës dhe Danimarkës për lëshimin me qira të burgut në Gjilan, fillimisht ndër të parët ka qenë KMDLNJ-ja që e ka kundërshtuar dhe vazhdon ta kundërshtojë. Për fatin e keq Kosova si një shtet i vogël dhe si një shtet i cili edhe ekonomikisht nuk qëndron aq mirë, çdoherë kur flasim për shuma milionëshe për neve paraqitet sikurse po ndodh një mrekulli. Për të gjithë ata që kanë njohuri për sistemin korrektues, Qendra Korrektuese në Dubravë është më e madhja në Kosovë dhe me kapacitetet që ka, vetëm kjo qendër korrektuese në rast se aty do të mund të shfrytëzohej gjithë ajo hapësirë fizike që ka në prodhimtari”, ka thënë ajo.

Dumolli ka shtuar se marrëveshja si e tillë, ka qenë e fshehur dhe nuk ka pasur informata të mjaftueshme se çka përmban ajo.

“Po ritheksoj që është një marrëveshje që nuk është sjellë nga kjo qeveri aktuale por nga koha kur ministër i Drejtësisë ishte Selim Selimi. Për kaq shumë vite paramendojeni një shtet si Danimarka që ka mundësi që Kosovës t’i japë 210 milionë, nuk do të kishte mundësi të ndërtonte një qendër të re për të mbajtur aty këta të dënuar? E para dhe më shqetësuesja për ne është se Danimarka po tregohet jashtëzakonisht raciste sepse të gjithë këta të dënuar që për mendimin tonë do të depërtohen në Kosovë, asnjëri prej tyre nuk janë danezë, shumica e tyre janë të dënuar të shteteve të treta, si shtetet e Afrikës apo edhe të Arabisë”, ka theksuar Demolli.