Arbëri

MPJ-ja për kontratën e Jakupit: Kontaktet e shumta të tij janë pasuri

Descriptive Text

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar lidhur me angazhimin e Gani Jakupit si këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike, dhe kontratën e tij ku figuron paga mbi 7,000 euro.

Ministria ka dhënë disa arsyetime lidhur me kontratën e Jakupit, duke theksuar se ajo nuk do të ndalojë së kërkuari dhe mundësuar kontributin atyre që kanë mundësi të ndihmojnë në diplomaci.

“Kontrata e përfolur është lidhur në kuadër të shtimit të kapaciteteve të Republikës së Kosovës për të depërtuar sidomos tek disa shtete të caktuara, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës si dhe për të ofruar konsulencë të mirëfilltë në fushën e diplomacisë publike dhe kulturore”, thuhet në deklaratë.

MPJ shtoi tutje se kontrata është lidhur duke respektuar të gjitha procedurat e parapara me ligj dhe se përzgjedhja e konsulentit është bërë duke u bazuar në nevojat specifike të projektit konkret dhe njohuritë specifike të tij.

“Kontaktet e shumta të konsulentit të përzgjedhur në botën e kulturës dhe të medias, sidomos në një numër shtetesh që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, janë një pasuri e çmuar për kulturën, diplomacinë dhe shtetin tonë. Konsulenti i përzgjedhur është një artist i njohur në qarqet e gjera kulturore dhe artistike të Evropës Perëndimore, e sidomos në Francë, Belgjikë dhe Spanjë, por edhe në një pjesë të madhe të shteteve të Amerikës Latine”, ka thënë ministria.

Aq më tepër, ka thënë MPJ-ja, që shuma e kompensimit material nuk përbën një pagë të mirëfilltë, por përfshin të gjitha shpenzimet që lidhen me përmbushjen e kontratës, pra ndër të tjera edhe mbulesën e kostos jetësore dhe të shpenzimeve të tjera për angazhim profesional në Bruksel.

“Shuma në fjalë nuk i tejkalon në asnjë aspekt standardet e kontratave të ngjashme të konsulencës, të cilat kanë si synim depërtimin diplomatik në grupe shtetesh dhe në fusha të ndryshme dhe nuk e tejkalon ndjeshëm shumën e kostos së një diplomati të lartë të Republikës së Kosovës në Evropën Perëndimore”.

Ka deklaruar se në angazhimin e konsulentit të jashtëm nuk ka pasur asnjë konflikt të interesit.

“Publiku i gjerë është i ndërgjegjshëm që në të kaluarën ka pasur kontrata 50-fish më të shtrenja, por me rezultate shumë herë më modeste sesa kontrata e përfolur gjatë këtyre ditëve”, ka theksuar ajo.

Ndërsa, ka kritikuar publikimin e të dhënave nga kontrata e Jakupit.

“Natyra e aktivitetit diplomatik dhe instrumenteve specifike të përdorura për arritjen e objektivave të politikës së jashtme, jo vetëm në Kosovë, është e tillë që publikimi i informacioneve të detajuara është i destinuar të dëmtojë seriozisht diplomacinë dhe interesat e Republikës së Kosovës. Kjo vlen posaçërisht për të gjitha përpjekjet e Kosovës për kontakte dhe vendosje bashkëpunimi me shtetet, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës si dhe shtetet, në të cilët qasja e diplomacisë sonë zyrtare është e kufizuar”.