Arbëri

40 të burgosur dhe dhjetëra të paraburgosur në burgun e Hajvalisë në grevë urie pas refuzimit për lirim

Foto: Ilustrim

Dyzet të burgosur në burgun e Hajvalisë dhe dhjetëra të tjerë që janë në paraburgim, sot janë futur në grevë urie, si shenjë pakënaqësie për refuzimin e lirimit të tyre në kohë pandemie, njofton KP-ja bazuar në një reagim të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut.

Të burgosurit në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, përmes një letre dërguar KMDLNj-së, kanë deklaruar se janë të frikësuar për shëndetin e tyre.

“Sipas informatave të KMDLNj –së, të dënuar dhe të paraburgosur përkatësisht 40 të dënuar dhe dhjetëra të paraburgosur (janë solidarizuar me të dënuarit), nga data 20 prill 2020 kanë hyrë në grevë urie duke e refuzuar marrjen e ushqimit si revoltë dhe shpreh je të pakënaqësisë që është refuzuar lirimi i tyre, qoftë i menjëhershëm apo edhe i përkohshëm. Revoltohen e shprehin kundër Qeverisë së Kosovës dhe Presidentit të Kosovës që nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për kërkesat e tyre apo kërkesat e OJQ-ve monitoruese dhe të cilat e kanë bërë një kërkesë të tillë. Të burgosurit në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, përmes një letre dërguar KMDLNj –së kanë deklaruar se janë të frikësuar për shëndetin e tyre dhe të familjeve aq më parë që më nuk kanë vizita dhe komunikimin me familje e bëjnë vetëm përmes telefonit dhe skyp-it. Ata deklarojnë se, në kohë të pandemisë po u shkelen të drejtat e njeriut që u takojnë si persona të privuar nga liria duke marrë shembull shtetet fqinje dhe ato evropiane që kanë ofruar shumë opsione për të burgosurit kurse Kosova nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

KMDLNJ-ja, sipas njoftimit, ka kontaktuar Qendrën e Paraburgimit në Hajvali dhe zyrtarët aty kanë deklaruar se një pjesë e të burgosurve janë në grevë dhe se autoritetet e Qendrës së Paraburgimit po sillen me të privuarit nga liria në përputhje me rregullat e Grevës së Urisë.

KMDLNJ-ja kërkon që masa e paraburgimit të aplikohet vetëm si masë e skajshme dhe të zëvendësohet me masa alternative sikur që edhe disa dënime, gjithashtu duhet të zëvendësohen me masa alternative të dënimit.

Ditë më parë, shumë të burgosur iu kishin drejtuar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me kërkesën që të lirohen në kohë pandemie, pasi rrezikojnë që shumë lehtë të infektohen. Përgjigjja e Haxhiut ishte se kjo nuk është kompetencë e saj dhe se çështjen e ka adresuar tek autoritetet përkatëse, të cilat kanë refuzuar kërkesën për lirim.