Projekti më i diskutuar në fushën energjetike, termocentrali “Kosova e Re”, është në hapat e fundit të finalizimit.
Kështu ka thënë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci në emisionin “Ekonomia me Erëzën”.
Stavileci pos tjerash ka theksuar faktin që ky termocentral i cili është investim i kompanisë amerikane “Contour Global”, do të rikthehet në pronësinë publike pas 20 vjetësh.
“Këtë muaj planifikojmë t’i përmbyllim të gjitha marrëveshjet komerciale dhe për këtë javën tjetër përsëri do të udhëtojmë për t’u taku me ‘Contour Global’ dhe Bankën Botërore. Dhe e rëndësishme të dihet është se pas 20 vitesh termocentrali do të kthehet në pronësinë tonë”, tha Stavileci, transmeton koha.net.
Jetëgjatësia e këtij projekti minimin do të jetë 40 vite.
Ky megacentral pritet të ndërtohet afër termocentralit aktual “Kosova B”, me një kapacitet gjenerues prej 450 megavat dhe me vlerë afro një miliard euro.