Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO e mbështet dialogun Kosovë – Serbi dhe se nuk duhet rrezikuar paqja dhe siguria në rajon.
Stoltenberg ka thënë se mirëpresin propozimin e fundit të bërë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se e ishte hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Stoltenberg ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, është i papranueshëm dhe po ashtu arsyeja pse KFOR-i ka rritur praninë në Kosovë.
“Ata që janë përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë. NATO ka reaguar me shpejtësi. Kemi sjellë 1000 trupa shtesë në Kosovë, kemi dërguar armë më të rënda dhe i kemi ngritur patrullat në veri. Këto janë hapat për të siguruar që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij që buron nga OKB-ja. Stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët në rajon që të zgjedhin diplomacinë para dhunës e të respektojnë zotimet e marra. Çdo vendosje e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqim paraprak të KFOR-it. Presim konsultime paraprake për çdo veprim të Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë në rajon. Paqja dhe siguria nuk duhet të rrezikohen. NATO e mbështet dialogun. Mirëpresim propozimet e fundit për Asociacionin, ky do të ishte hap i rëndësishëm kyç drejt normalizimit të marëdhënieve e drejt një paqeje të qëndrueshme e prosperitetit në rajon”, ka thënë Stoltenberg.
I pyetur për mundësinë që Kosova të anëtarësohet në Partneritetin për Paqe të NATO-s, ai ka thënë se kërkohet votë unanime nga anëtarët dhe se nuk e di kur do të merret një vendim i tillë.
Ai ka thënë po ashtu se pas sulmit terrorit në Banjskë po e rishikojnë nëse duhet të pasur rritje të përhershme të trupave për të siguruar që situata të mos dalë jashtë kontrollit e të shkaktohen konflikte të reja.
“Do të bëjmë çfarë të jetë e nevojshme. Po e rishikojmë praninë tonë, ndryshimet e nevojshme e kemi zbatuar rritjen e nevojshme”, tha Stoltenberg.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.