Augustin Palokaj, korrespodent i KOHËS në Bruksel, ka thënë se zyrtarët e Bashkimit Evropian presin që Kosova të nisë së shpejti me veprimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Palokaj ka thënë se zyrtarët presin që sivjet Kosova të nisë veprimet me miratimin e drafstatutit dhe më pas dorëzimin e tij në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.
“Nëse është për t’u besuar zyrtarëve të BE-së, jo vitin e ardhshëm por që tani, shumë shpejt do të nisë kjo. Dhe sipas tyre gjithçka nga ana e Kosovës, ndoshta me miratimin e draftit të statutit e pastaj pas miratimit me dorëzimin para Gjykatës Kushtetuese për të dhënë vlerësimin a është në përputhje apo jo dhe menjëherë Serbia të njohë pasaportat, letërnjoftimet, targat e të mos insistojë në fusnotë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në Bruksel më s’po diskutohet për arritjen e marrëveshjes, por për hapat implementues të marrëveshjes bazë, të arritur në shkurt.
Palokaj ka shtuar se pret që dialogu të jetë aktiv edhe për kohë të gjatë pasi është kusht për avancimin e të dyja shteteve në rrugën evropiane. Ai ka thënë se nëse ka seriozitet nga BE-ja pritet që t’i bëhet me dije Serbisë se s’mund t’i tolerohet largimi nga obligimet.
Takimet e kryenegociatorëve të enjten me ndërmjetësin Miroslav Lajçak, e të cilat vetë diplomati sllovak i quajti të frytshme, Palokaj ka thënë se “bazuar në përvojën nga e kaluara, i frytshëm është secili takim kur palët pas takimit s’dalin me interpretime të kundërta të asaj që ka ndodhur”.
Palokaj ka thënë se Kosova më shumë po insiston në planin e sekuencimit duke kërkuar që ai të jetë paralel sesa në përmbajtjen e draftit të statutit për Asociacionin, të propozuar nga shtetet kryesore të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka thënë se tash ka angazhim më të madh nga Gjermania, Franca dhe Italia për dialogun dhe se janë ato që bëjnë presionin më të madh ndaj Kosovës dhe Sebrisë.
Për shkak të zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi, sipas Palokajt, mund të ketë shmangie të takimeve të nivelit të lartë.