Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vlerësuar se kuvendi zgjedhor i Listës Serbe, i mbajtur më 24 tetor të këtij viti, në të cilin kjo parti zgjodhi kryetarin e kryesinë e re, ishte në përputhje me rregullat në fuqi.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, Besnik Buzhala, ka theksuar se pas shqyrtimit të dokumenteve të pranuara nga Lista Serbe, rezulton se zgjedhja e kryetarit, kryesisë dhe nënkryetarëve është bërë në përputhje me Rregulloren për Regjistrimin dhe Funksionimin e Partive Politike dhe statutin e kësaj partie, shkruan EO.
Ndërsa Sami Kurteshi anëtarë i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, ka pyetur nëse janë marrë masa ndaj ish-nënkryetarit të kësaj partie, Millan Radojiçiq.
“A ka ndonjë masë apo ndonjë përjashtim për shkak se e ka pranuar vetë se ka marrë pjesë në sulmet terroriste, nuk po dua t’i përmend emra sepse dihet por po dua të di nëse është shkarkuar për shkak të veprimeve kundër rendit kushtetues”, ka pyetur Kurteshi.
Por përgjigje nuk mori nga Besnik Buzhala.
Ai ka thënë për shkak të interesimit të madh nga mediet dhe numrit të madh të pjesëmarrësve, nuk janë dëgjuar të gjitha vendimet por që konstaton se zgjedhja e kryesisë ka qenë konform ligjeve.